
Tanimë Rusia ka nisur luftën me Ukrainën, të vdekur kanë mbetur dhjetëra persona.
Këto zhvillime janë duke u ndjekur nga të gjitha anët. Edhe nga salla e Kuvendit të Kosovës.
Ish-drejtori i Policisë së Kosovës njëherit deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj është parë teksa po e përcjell ngjarjen drejtpërdrejt nga salla e Kuvendit.
Qalaj ndonëse i pranishëm në sallë për të dëgjuar diskutimet brenda Kuvendit, ai është parë teksa po përcjell edhe zhvillimet e fundit Rusi-Ukrainë përmes CNN-it.
Foto:
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të enjten se sulmi rus në Ukrainë, përbën agresionin e dytë më të madh ushtarak prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
“Sot është një mëngjes i trishtë në Evropë, për shkak se në këto çaste që ne ndodhemi këtu në konferencë në Prishtinë, në Ukrainë po ndodh invazioni rus, i cili është agresioni më i madh ushtarak – jo vetëm në Evropë – që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore”, ka thënë Kurti në një konferencë të mbajtur lidhur me reformën e administratës publike në Kosovë.
“Në këto çaste të trishta për Evropën, dhe jo vetëm, ne solidarizohemi me popullin e Ukrainës dhe jemi të orientuar bashkë me Bashkimin Evropian, NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërinë e Bashkuar për sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, pavarësinë e vendit dhe të drejtën e vetëvendosjes për popullin e Ukrainës”, ka thënë mes tjerash Kurti./GazetaInsajderi