Vitin e shkuar e mbylli me shumë trofe personal, ndërsa edhe 2024 ka nisur në mënyrën më të mirë për Jude Bellingham. Futbollisti i Real Madrid është më i vlefshmi në botë sipas renditjes së publikuar nga CIES, Observatori i Futbollit që analizon statistikat e dhe vlerat në mërkato.
Sipas këtyre llogaritjeve, mesfushori anglez ka një vlerë 267,5 milion euro. Ky vlerësim lidhet me paraqitjet e 20-vjeçarit në sezonin e tij të parë me Real Madrid, ku numëron 17 gola në 22 ndeshje në të gjithë kompeticionet.
Në vendin e dytë renditet Erling Haaland. Sulmuesi norvegjez i Manchester City ka dorëzuar fronin, pasi vlera e tij në mërkato llogaritet 251.2 milion euro. Real Madrid duket se ka një thesar të vërtetë në skuadër, pasi dy lojtarë të tjerë të skuadrës “Los Blancos” janë në pesëshen e parë.
Bëhet fjalë për Vinicius Junior dhe Rodrygo, përkatësisht të vlerësuar me 250.3 dhe 247.9 milion euro. Por ajo që bie në sy në këtë renditje është rënia e ndjeshme e Kylian Mbappe, vetëm në vendin e 27-të me 106.2 milion euro. Mirëpo, kjo ka një shpjegim logjik dhe lidhet me faktin që sulmuesi francez është në skadencë kontrate me Paris Saint-Germain dhe kjo ndikon në vlerën e tij në merkato. /abcnews.al