Ky është gjilanasi që e rrëmbeu të miturin shqiptar në Preshevë, shkak borxhi prej 100 mijë eurove – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Ky është gjilanasi që e rrëmbeu të miturin shqiptar në Preshevë, shkak borxhi prej 100 mijë eurove

    Insajderi
    21 July 2024 - 14:09
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Mosmarrëveshja për borxhin që kap vlerën e një shume të majme parash mes familjes Shabani në Preshevë dhe të dyshuarit nga Gjilani u zbulua se është motiv i rrëmbimit.

    Sinjali ka mësuar se i dyshuari që është cak i autoriteteve për këtë rast është Adnan Cani (37-vjeçar) – i njohur me nofkën “Amigo”.

    Cani, i cili është nga Llashtica e Gjilanit, pronar i lokalit “Amigo” në këtë fshat, po dyshohet se e ka rrëmbyer djalin 17-vjeçar të familjes Shabani në Preshevë, pasditen e së shtunës.

    Borxhi që i ka futur në sherr palët lidhet me shitjen e një sasie të drogës nga ana e të dyshuarit.

    Bazuar në informacionet e para, i dyshuari “Amigo” ia ka dërguar vëllait të viktimës rreth 40 kilogramë drogë – për të cilat ka kërkuar hiç më pak se 100 mijë euro.

    Të njëjtat burime kanë bërë me dije se konflikti mes tyre plasi pasi vëllai i të rrëmbyerit nuk arriti t’ia paguajë të dyshuarit shumën për të cilën janë marrë vesh.

    Substanca narkotike, e llojit marihuanë, që ishte dërguar nga Cani në Preshevë, dyshohet se ishte e paraparë që të transportohet në kryeqytetin serb, Beograd.

    Mospagesa për drogë pasoi me rrëmbimin e të miturit nga shtëpia e tij – fati i të cilit akoma nuk dihet.

    Pasi Policia është vënë në dijeni për rastin, janë ndërmarrë veprimet e nevojshme – duke përfshirë edhe bastisje, por i dyshuari ende s’është gjetur.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark