Për një rast të dhunës seksuale që dyshohet se ka ndodhur në Gjilan, është arrestuar një 21-vjeçar. Ai dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një 15-vjeçare.
Burimet të Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Fetah Abazin, i cili ka përfunduar në prangat e Policisë, nën dyshimet se ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturën.
Rasti dyshohet të ketë ndodhur së fundmi, kur viktima ka bashkëjetuar me të dyshuarin, në banesën e tij, në Gjilan dhe gjatë asaj periudhe dyshohet se është kryer vepra.
Sinjali mëson se gjithçka u zbulua kur viktima kërkoi ndihmë nga Policia, pasi babai i saj e kishte dëbuar prej shtëpisë që nga momenti kur e mori vesh se vajza e tij po qëndron te i dyshuari.
Si rezultat i denoncimit, hetuesit policorë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme, me ç’rast është intervistuar edhe i dyshuari, i cili ka dhënë dëshminë e tij.
Pas përfundimit të procedurave policore, lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit dhe nisjen e hetimeve ndaj tij në drejtim të veprës penale “Dhunimi”.