Ministri i Jashtëm, Alexander Schallenberg, bëhet kancelari i përkohshëm për herë të dytë. Ai kishte marrë qeverinë për 57 ditë në 2021.
Schallenberg po merr sërish pushtetin në një situatë jashtëzakonisht të tensionuar për republikën në një fazë polarizuese të formimit të qeverisë dhe për partinë e tij pas tërheqjes së Karl Nehammerit si kryetar.
Politikani austriak do të vazhdojë të drejtojë Ministrinë e Jashtme, ndërsa do të jetë edhe kancelari në detyrë.
Schallenberg, 55 vjeç, ka qenë kreu i diplomacisë austriake që nga viti 2019, me një ndërprerje të shkurtër. Përveç rolit të tij si kreu i përkohshëm i qeverisë, ai do të mbetet ministër i Jashtëm. Ai gjithashtu mori drejtimin e kancelarisë për disa javë në fund të vitit 2021, gjatë një faze të tranzicionit politik. Në atë kohë, Schallenbergu pasoi Sebastian Kurz-in, i cili kishte dhënë dorëheqjen si kancelar austriak përballë hetimeve për korrupsion.
Pas dështimit të përpjekjeve për të formuar një koalicion të partive të qendrës politike, presidenti i Austrisë Van der Bellen ngrkoi të hënën liderin kontrovers të partisë populiste të krahut të djathtë FPÖ, Herbert Kickl, për të formuar një qeveri. Ai duhet të negociojë një koalicion të mundshëm me ÖVP.
Megjithëse FPÖ fitoi zgjedhjet në shtator, mandati për të formuar një qeveri fillimisht iu dha partisë së dytë në zgjedhje, ÖVP-së së kancelarit Nehammer. Van der Bellen e arsyetoi këtë vendim duke thënë se të gjitha partitë e tjera kishin përjashtuar bashkëpunimin me populistët e djathtë. ÖVP kishte njoftuar se nuk dëshironte të krijonte një koalicion me FPÖ të udhëhequr nga Kickl. Ky qëndrim duket se tani ka ndryshuar.
FPÖ fitoi pothuajse 13 pikë përqindje në zgjedhjet e shtatorit dhe mori numrin më të madh të votave me rreth 29%.Nëse negociatat e koalicionit me ÖVP dështojnë, Kickl kërcënon me zgjedhje të reja. Sipas sondazheve aktuale, partia e tij ka rritur ndjeshëm epërsinë ndaj ÖVP dhe SPÖ që nga zgjedhjet.