Plagoset me armë zjarri një person në Prishtinë. Ngjarja ka ndodhur në një lokal në lagjen Emshir në Prishtinë, ku një person ka mbetur i lënduar, teksa të dyshuarit kanë ikur nga vendi i ngjarjes.
Gazeta mëson se plagosja ka ndodhur në lokalin “Exit Lounge Bar”.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës për Insajderin.
Sipas informatave të para, personi që ka mbetur i lënduar është B.A, 37 vjeçar.
“Sot rreth orës 21:00 policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri, në një lokal, në lagjen Emshir të Prishtinës, Nga arma e zjarrit lëndime ka pësuar një person, B.A, mashkull 37 vjeç, i cili është dërguar për tretman mjekësor. Aktualisht hetuesit policor, në koordinim me prokurorin e shtetit janë duke punuar për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me këtë ngjarje”, tha Flora Ahmeti për Gazetën Insajderi.