Ky është Lulzim Visha që u vra në Zall Mner, përplasja me familjen Lami – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Ky është Lulzim Visha që u vra në Zall Mner, përplasja me familjen Lami

    Insajderi
    25 January 2025 - 12:41
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Personi që shihni në foton e mësipërme është 48-vjeçari Lulzim Masha, baba i dy fëmijëve, i cili u gjet i vrarë mëngjesin e të premtes (24 Janar) brenda një automjeti në rrugën “Shën Stefani” të fshati Zall Mner të Kamzës.

    Ai ka qenë duke shkuar për në punë në momentin kur është ekzekutuar rreth 200 metra larg babesë së tij, teksa makina që po drejtonte i përkiste kompanisë “Postman”, që dërgon pako në gjithë Shqipërinë.

    Në vendin e ngjarjes u gjetën 12 gëzhoja, teksa dyshohet se autorët kanë përdorur një armë zjarri me silenciator, pasi banorët e zonës kanë deklaruar se nuk kanë dëgjuar të shtëna.

    Nga kqyrja e pamjeve filmike të kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi ngjarja, është konstatuar një automjet tip “Porsche” ngjyrë gri, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët për t’u larguar nga vendi i ngjarjes pas kryerjes së atentati.

    Disa orë pas ngjarjes, automjeti tip “Porsche” u gjet i djegur në fshatin Zgafnor, në Zall-Herr, teksa brenda makinës u gjet dhe një armë e gjatë zjarri, e cila dyshohet si arma e përdorur nga autorët në atentatin ndaj Lulzim Vishës.

    Pista kryesore ku po heton Policia është ajo e konflikti që ai kishte patur pak kohë më parë me anëtarë të familjes Lami, po në fshatin Zall Mner, ku shkaku i konflikti dyshohet se kanë qenë motivet e pronësisë.

    Policia ushtroi kontroll në banesën e Eduart Lamit në fshatin Zall Mner ku gjetën një armë zjarri automatike me silenciator dhe municion luftarak, 15 copë fishekë luftarak, një sopatë, një thikë, një këllëf pistolete glok. Gjithashtu, në oborrin e banesës janë gjetur dhe 4 gëzhoja armë.

    Burime për mediat bëjnë me dije se kanë qenë dy godina, ku njëra prej të cilave ishte shtëpi druri, brenda të cilës efektivët kanë parë vrima në mure të shkaktuara me armë zjarri. Dyshohet se këto vrima mund të jenë bërë për të provuar armë të ndryshme.

    Në momentin kur është ushtruar kontroll në banesën e Ervis Lamit, ky i fundit nuk është gjetur në banesë, por derën e ka hapur një familjar i tij.

    Ervis Lami është shpallur në kërkim nga Policia dhe uniformat blu po punojnë për gjetjen e tij dhe për ta shoqëruar më pas në komisariat, ku do të merret në pyetje dhe rreth vrasjes së 48-vjeçarit Lulzim Visha.

    Për armët dhe municionin luftarak të gjetur në banesën e Ervis Lamit, është arrestuar djali i xhaxhit të këtij të fundit, Eduart Lami, 37 vjeç, banues në Kamëz., për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armeve të ftohta”.

    Banesa ku janë gjetur sendet e kundraligjshme është në posedim të shtetasit Ervis Lami dhe përdoret nga të dy shtetasi Eduart Lami 37 dhe Ervis Lami 31 vjec.

    Arma e zjarrit, gëzhojat si dhe sendet e tjera të sekuestruara në banesë janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme për të parë nëse kjo armë zjarri është përdor në ngjarje kriminale.

    Gjithashtu, po hetohet edhe pista e hasmërisë, pasi i vëllai i viktimës ka vrarë një person disa vite më parë.

    Lulzim Visha është vëllai i Besnik Vishës, ku ky i fundit ka vrarë më armë zjarri për motive të dobëta Refik Domin, ngjarje e kjo e ndodhur në afërsi të Universitetit Bujqësor Tiranë më datë 10 Prill të vitit 1997.

    Gjykatës e Tiranës e ka dënuar Besnik Vishën më 29 Qershor të vitit 2001 me 12 vjet burgim, për veprat penale të “Vrasjes me dashje” dhe të “Armëmbajtjes pa leje”. Ai ka qenë për disa vite në kërkim, teksa është arrestuar në Tetor të vitit 2009. Ai tashmë e ka përfunduar dënimin dhe është i lirë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark