×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Ky është Mentor Kazazi, pronari i “Prishtina Jet”, kundër të cilit është ngritur aktakuzë për mashtrim të mërgimtarëve me bileta

    Insajderi
    07 December 2022 - 12:47
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Mentor Kazazi, pronar i “Prishtina Jet” dhe Arbër Blakçori, menaxher i agjencisë, i kanë vënë në lajthitje 242 bashkatdhetarë duke iu shitur bileta fiktive për udhëtim me aeroplan nga shteti i Gjermanisë dhe ai i Zvicrës për në Prishtinë dhe anasjelltas.

    Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë kundër pronarit të “Prishtina Jet”, për mashtrim dhe shmangie nga tatimi

    Insajderi zbulon se bëhet fjalë për Mentor Kazazin, ndërsa në aktakuzë siç mëson Gazeta është i përfshirë edhe Arbër Blakçori, në rolin e menaxherit të agjencisë, të dy ishin arrestuar më 4 gusht të vitit 2022.

    Mentor Kazazi

    Dy të dyshuarit tjerë që janë përmendur në aktzakusë janë: Stefanie Zabel dhe Nestret Hoxha të cilin ishin arrestuar më 28 tetor të këtij viti.

    Nestret Hoxha | Foto: Facebook
    Nestret Hoxha dhe Stefanie Zabel | Foto: Facebook

    Lajmi për ngritjen e aktakuzës e konfirmuar Prokuroria Themelore të Prishtinës.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë, pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve M.K., A.B., S.Z. dhe N.H., pasi në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi”, ndërsa ndaj të pandehurit M.K., po ashtu për veprën penale “Shmangie nga tatimi””, thuhet në njoftim, shkruan Gazeta Insajderi.

    Për çka akuzohen Kazazi, Blakçori dhe të tjerët?

    Sipas aktakuzës, të pandehurit nga viti 2020, në vazhdimësi e deri më 4 gusht 2022, përmes Agjencisë Turistike “Prishtina Jet sh.p.k”, janë marrë vesh që vetes t’i sjellin përfitime pasuror në mënyrë të kundërligjshme.

    Mentor Kazazi, pronar i “Prishtina Jet” dhe Arbër Blakçori, menaxher i agjencisë, i kanë vënë në lajthitje 242 bashkatdhetarë duke iu shitur bileta fiktive për udhëtim me aeroplan nga shteti i Gjermanisë dhe ai i Zvicrës për në Prishtinë dhe anasjelltas.

    “Përmes reklamimit në websajtin e tyre dhe sms-ave u kanë dërguar të dëmtuarve oferta joshëse për blerje të biletave fiktive me një çmim më të lirë se sa çmimi real, të cilat fluturime nuk janë realizuar asnjëherë ngase nuk kanë qenë të planifikuara e as të rezervuara apo të konfirmuara në sistemin e fluturimeve në Aeroportin e Prishtinës, e as të atyre të Gjermanisë dhe të Zvicrës, kurse të pandehurit S.Z dhe N.H., përmes një marrëveshjeje (kontratë interne, e pa noterizuar) të nënshkruar me të pandehurin M.K., kanë krijuar një xhirollogari bankare në një bankë në Lucern të Zvicrës, të cilët në këmbim të një kompensimi prej 4 Euro për çdo transaksion kanë mundësuar shitjen e biletave fiktive të dëmtuarve në emër të agjencisë”, thuhet në aktakuzë.

    “Pastaj mjetet e mbledhura nga shitja e këtyre biletave, prej qindra mijëra eurosh, i kanë transferuar në xhirollogaritë bankare të agjencisë në Prishtinë dhe në llogari tjera të pandehurit M.K., kurse shumën prej 26,000.02 CHF i kanë transferuar në llogarinë bankare e të pandehurit N.H., çka me këtë të dëmtuarve, u kanë shkaktuar dëm material në shumën prej 165,246.00 €, si dhe 56,981.00 CHF”, vazhdon njoftimi, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ndërsa, i pandehuri Kazazi nga viti 2020 e deri më 6 maj 2022, në cilësinë e pronarit të agjencionit turistik “Prishtina Jet Sh.p.k”, i ka ikur tatimit, duke e dëmtuar buxhetin e shtetit.

    “Është konstatuar se i pandehuri ka deklaruar rrejshëm të hyrat dhe arkëtimet e realizuara nga qarkullimi i biznesit të tij tek organet kompetente, respektivisht te ATK-ja, për periudhën e lartcekur kohore, çka me këtë ka bërë shmangie tatimore dhe ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumën prej 24,928.38 €”, zbulon njoftimi i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, shkruan Gazeta Insajderi.

    Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtorë, dhe po ashtu ka propozuar të konfiskohet pasuria e fituar nga veprat penale, si shuma prej 35 mijë frangave,  4 mijë euurove, një veturë e tipit “Shkoda” e vitit 2017, shuma prej 165 mijë e 246 eurove dhe ajo prej 56 mijë e 981 frangave.

    Mentor Kazazi është personi kyq dhe aksionari me 100 përqind që qëndron mbrapa touroperatorit “Prishtina Jet”.

    Në Agjencinë e regjistrimit të Bizneseve të Kosovës, ky agjencion aktivitetin primar ka transportin ajror të pasagjerëve./Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark