
Gazeta Insajderi merr vesh se personi i arrestuar pasditen e së enjtes, gjatë aksioni policor kundër fajdes në Prizren është 37-vjeçari Akcan Haskuka.
Haskuka është arrestuar në flagrancë gjatë një aksioni të zhvilluar nga Policia e Kosovës, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prizren.
Detaje për këtë aksion ka dhënë për Insajderin kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, i cili bëri të ditur se janë sekuestruar para të gatshme dhe prova të tjera materiale relevante për rastin.
“Po, sot kemi pasur aksion për fajde. Është arrestuar një person për dy vepra penale: ‘Fajdeja’ dhe ‘Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’. Janë sekuestruar 5000 euro si dhe prova tjera relevante. Prokuroria ka zhvilluar hetim dhe ka aplikuar masa të veçanta hetimore,” tha Kryeziu.