Policia e Kosovës ka hapur rast ndaj dy zyrtarëve policorë, pasi njëri prej tyre e kishte lejuar një vajzë t’ia hapte derën e veturës së policisë dhe ta lironte shoqen e saj.
Demokracia.com gjatë ditës së sotme ka publikuar një video-ekskluzive, që ishte bërë para një diskoteke, ku një zyrtar policor shihet duke biseduar me një vajzë, derisa qëndron i mbështetur në veturën zyrtare të policisë.
E njëjta vajzë, pas pak sekondave shihet duke ia hapur veturën policore dhe duke e liruar prej aty një vajzë tjetër.
Demokracia.com ka mësuar se tashmë është identifikuar zyrtari policor dhe ai është Flamur Keka, polic në zonën e Graçanicës, i suspenduar disa herë për sjellje të pahijshme.
Në nëntor të vitit 2021, ky zyrtar policor i veshur si civil dyshohej se kanosi me armë zjarri sigurimin e një lokali në rrugën “B” në Prishtinë, pasi që nuk ishte lejuar të futej aty pa rezervim të mëhershëm.
Ndalimi prej sigurimit të lokalit e kishte acaruar këtë zyrtar policor, i cili më pas kishte tentuar të futej me forcë brenda dhe gjatë konfrontimit dyshohet se kishte nxjerrë edhe armën e zjarrit, me të cilën kishte kërcënuar dy rojet dhe klientët e lokalit.
Zyrtari policor nuk ishte prezantuar si polic kur kishte provuar të futej në lokal dhe as kur ishte arrestuar nga kolegët e tij.
Keka e kishte fshehur faktin që ishte polic edhe nga patrulla policore që kishte shkuar ta arrestonte në vendin e ngjarjes.
Për përfshirjen e policit Flamur Keka dhe një kolegut të tij në këtë rast të ri tashmë është njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës.
Trajtimi i barabartë dhe i drejtë i të gjithë personave, si dhe integriteti, ndershmëria e përgjegjësia në shërbimin publik janë dy parime tejet të rëndësishme të Policisë së Kosovës.