Emri i prokurorit në Prokurorinë Themelore të Pejës, Dorjan Junikut, implikohet në një nga rastet më skandaloze të dëgjuara kohëve të fundit në sistemin e drejtësisë dhe sigurisë. Juniku, në bazë të një ankese të një zyrtari të lartë policor për të cilën raportoi Insajderi ekskluzivisht më herët, thuhet t’ia ketë aprovuar kërkesën hetuesit policor Sead Hamziç që një të dërguar në mbajtje ta merrte nga stacioni policor e ta kthente në dasmë me veturë të policisë. Më saktësisht, në ahengun ku ishte arrestuar për pronësi të paautorizuar të armëve.
Eldin Muminoviç (“miku” i policit Hamziç), Erhad Muminoviç dhe Almir Memiç ishin arrestuar për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” ku nga një aheng në një restorant në Pejë janë konfiskuar dy armë zjarri dhe në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar 46 gëzhoja të pistoletës.
Në bazë të një ankese të adresuar në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) nga një zyrtar i lartë policor, polici Hamziç me aprovimin e prokurorit kujdestar, kishte synuar ta kthente në dasmën ku ishte arrestuar Eldin Muminoviç me veturë të policisë.
Megjithatë, një veprim të tillë e kishte parandaluar ankuesi, i cili në ankesën e drejtuar në IPK, për të cilën raportoi më herët Insajderi, thotë se kishte telefonuar me krerët e stacionit policor. Pas kësaj, Hamziç e kishte kthyer në stacion sërish të arrestuarin për armëmbajte pa leje.
Për krejt këto veprime, ai kishte marrë “izën” e prokurorit kujdestar, Dorjan Juniku.
“Seadi me tha po e dërgoj ne darsem 30 minuta dhe e kthej prap se kam fol me prokurorin dhe me ka thëne mos me humb kohe me shumë”, thuhet në ankesën që e ka parë Insajderi.
“…ndërkohe kam telefonuar dhe Prokurorin kujdestar Dorjan Juniku te cilit i kam thënë se a je ne njohuri dhe a ke leshur ndonjë vendim tjetër për lirimin e te dyshuarit sepse Seadi e ka nxjerr pa dijeninë time te dyshuarin nga ndalimi policor dhe po thirret ne emrin tënd qe i ke thënë me dërgua ne darsem 30 min, Prokurori me ka thëne se Seadit i kam thëne qe ju i dini procedurat tuaja dhe nëse keni mundësi mundeni me dergu ne dasmë 30 minuta dhe e ktheni prap”, vijon ankesa.
IPK’ja, sipas burimeve të Insajderit, po e heton këtë rast. /Insajderi.org/