Kryeministri Albin Kurti duket se ka çka të dëshmojë kur të merret në pyetje nga Prokuroria Speciale lidhur me skandalin e Rezervave Shtetërore. Një trafikant droge dyshohet se ka organizuar lidhjet e takimet e Ridvan Muharremit me biznesmenin polak, Tomasz Tokarski, për blerjen e vajit, grurit e misrit, të cilat nuk erdhën kurrë.
Nezir Idrizi, emri i të cilit u bë i njohur nga avokati i Ridvan Muahrremit, Mahmut Halimi, thuhet se ka negociuar në emër të Qeverisë së Kosovës për rezervat shtetërore.
Vetë Idrizi e kishte pranuar se kishte biseduar me Ridvan Muharremin lidhur me mundësinë e blerjes së mallrave për rezervat shtetërore, pasi që ishte paraqitur si mik me biznesmenin polak.
Ani pse e kishte mohuar se ishte bashkëpronar në kompaninë me të cilën edhe është bërë blerja e mallrave për rezervat shtetërore, Neziri kishte thënë se kishte shërbyer vetëm si përkthyes në negociatat mes Qeverisë e kompanisë XANTO KOS, ku pronar është biznesmeni polak Tomasz Tokarski.
Por kush është Nezir Idrizi?
Sipas Paparacit, Nezir Idrizi, është një trafikant droge.
Ai është i dënuar me mbi 10 vite burgim për shpërndarjen e drogës në Evropë. Përpos në kontinentin e vjetër, Neziri është marrë me trafikimin e drogës edhe në Kosovë.
Ai ishte shpallur fajtor për shkak të veprës penale Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotrope.
Më 4 shtator të vitit 2014, Neziri ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë. Vendimi i Themelores ishte bërë i plotfuqishëm më 14 nëntor të 2014-të, ndërkaq Neziri kishte përfunduar në burg.
Tetë vite më vonë, Neziri kishte bërë kërkesë që emri i tij të shlyhet nga të dhënat për evidencën penale.
Sipas vendimit Gjykata Themelore në Gjakovë kishte aprovuar kërkesën e të dënuarit Nezir Idrizi për shlyerjen nga evidenca penale, për shkak se ai i kishte plotësuar afatet e parapara ligjore.
Në arsyetimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë bëhet e ditur se Neziri Idrizi ishte dënuar me 1 vit burgim për shkak të veprës penale Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve.
Nezir Idrizi ia kishte propozuar sekserit Ridvan Muharremi kompaninë e mikut të tij polak, për furnizimin me mall për Rezervat Shtetërore në Ministrinë e Tregtisë, ndërkaq Muharremi më pas kishte ‘aktivizuar’ lidhjet e tij me pushtetarët.
Në një intervistë, Neziri e kishte arsyetuar biznesmenin polak duke thënë se çmimi më të cilin pranoi ta sillte vajin dhe sheqerin në Kosovë ishte tejet i ulët, madje as nuk ia vlente fare, por që polaku e kishte bërë për shkak të Kosovës.
Ai kishte thënë se biznesmeni polak, Tokarskit, ka pasur qëllim të mirë dhe bamirës.
Skandali me Rezervat Shtetërore është njëri prej skandaleve më të mëdha gjatë qeverisjes së Albin Kurtit.
Nga 10 milionë euro të dedikuara për blerjen e grurit, vajit e sheqerit, shumica prej mallrave nuk ka ardhur fare. Përpos grurit, sasia e të cilit ka ardhur në shumicë, por mungojnë 52 tonë prej tyre, vaji dhe sheqeri nuk ka ardhur kurrë.
Në këtë skandal është e përfshirë direktministrja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari si dhe zyrtarë të lartë të ministrisë.
Lidhur për skandalin me rezervat shtetërore, në cilësinë e dëshmitarët është ftuar të merret në pyetje edhe kryeministri Albin Kurti.
Prokuroria Speciale tash e dy herë e ka ftuar të parin e ekzekutivit për të dëshmuar lidhur me këtë aferë, por ftesa e prokurorëve është refuzuar nga kryeministri Kurti. Ai iu ka bërë thirrje prokurorëve që të intervistohet në zyrën e tij në kryeministri.