Është zbardhur ngjarja e rëndë e ndodhur një natë më parë në Prizren, ku pas një konflikti në një lokal mbeti i vdekur një 31-vjeçar nga Kukësi.
Rrugës për në spital ka ndërruar jetë Visart Cengu me origjinë nga Kukësi, ndërsa ka mbetur i plagosur Rufgen Shehu, ky i fundit jashtë rrezikut për jetën.
Gazetarja Dorjana Bezat raporton se konflikti nisi për motive të dobëta në një lokal, ku tre të rinjtë nga Kukësi janë konfliktuar me një shqiptar të Kosovës me grushte dhe sende te forta. Pasi janë konfliktuar, ata janë nisur drejt Kukësit me një mjet që drejtohej nga Arben Basha.
Policia dyshon se drejt tyre ka qëlluar pronari i lokalit të natës teksa ata po largoheshin me automjet në drejtim të Kukësit.
Mësohet se tre të rinjtë nga Kukësi nuk kanë patur armë me vete dhe nuk ka patur përplasje me armë.
Dy të rinjtë nga Kukësi akuzojnë Dibran Hoxhajn si autor të ngjarjes së rëndë.
Ndërkohë, grupi hetimor vijon veprimet procedurale për llogari të Policisë së Kosovës, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Policia e Kosovës ka konfirmuar gjuajtjen me armë zjarri në dalje të Prizrenit, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka vdekur një 31-vjeçarit dhe i plagosur ka mbetur një 27 vjeçar.
Sipas policisë, rasti ka ndodhur në lokalin “Kobra City”.
Zëdhënësi i policisë rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi, tha për Gazetën Insajderi se policia është duke u marrë me rastin.
“Kemi pranuar informatën rreth orës 04:10 për gjuajtje me armë zjarri në “Kobra City” në dalje të Prizrenit. Një person ka vdekur dhe një është plagosur. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është duke u marrë me rastin”, tha Bytyqi.
Ndërsa, policia shqiptare ka bërë të ditur se dy të rinjtë janë nga Kukësi. Të njëjtit po barteshin me automjet nga shtetasi A.B., në drejtim të spitalit rajonal të Kukësit.
Sipas informacioneve të para 31-vjeçari vdiq rrugës për në spital, teksa i plagosuri po qëndron nën kujdesin e mjekëve.
Sipas policisë së Shqipërisë, dyshohet se ngjarja tragjike ka ndodhur pas një konflikti në lokal me disa shtetas kosovarë.
“Në momentin që shtetasit V.C., R.Sh dhe A.B, po largoheshin me automjet, dyshohet se shtetasi D. H, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre”, raportohet në Shqipëri.
Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë janë në bashkëpunim për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.