Varianti i ri i koronavirusit është zbuluar edhe në Maqedoninë e Veriut, në laboratorin privat të klinikës “Zhan Mitrev” në Shkup tek një burrë 46 vjeç, i cili tashmë është shëruar, ka bërë të ditur Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe. Virusi u zbulua në spital gjatë analizës së mostrave nga janari.
Ai gjatë anketimit ka thënë se nuk ka pasur asnjë kontakt, e as që ka udhëtuar jashtë Maqedonisë së Veriut.
“Pacienti iu nënshtrua një testi të shpejtë për herë të parë në 29.12.2020, për shkak të etheve dhe gulçimit. Testi ishte pozitiv. Disa ditë më vonë, më 04.01.2021, ai u paraqit për një ekzaminim në spitalin privat “Zhan Mitrev”, ku iu nënshtrua një testi PCR i cili ishte pozitiv dhe pacienti u shtrua menjëherë në spitalin privat. Më 15 janar, pacienti bëri dhe një test të tretë që po ashtu rezultoi pozitiv”, thuhet në raportin e Institutit të Shëndetit Publik.
Në bazën e të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, pacienti nga 22 janari 2021 është si i shëruar.
Laboratori në spitalin “Zhan Mitrev” kishte përcaktuar se pacienti dyshohej se kishte një mutacion në virus, dhe më pas ishte izoluar. Sipas informacionit që laboratori i ka dërguar Ministrisë së Shëndetësisë, të gjitha mutacionet që përcaktojnë llojin britanik janë identifikuar në izolimin e këtij pacienti.
Maqedonia e Veriut të mërkurën ka regjistruar 9 viktima me COVID-19 si dhe 394 të infektuar, ndërsa të shëruar kanë rezultuar 387 persona.
Që nga paraqitja e rastit të parë me COVID-19 janë diagnostikuar 91.555 persona, prej tyre 2.821 kanë vdekur, 80.008 janë shëruar ndërsa 8.726 raste janë ende aktive.