
Kryeinspektori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Kujtim Shala, e ka rehatuar gruan e tij në një punë të shtetit. Bashkëshortja e tij, Fidane Shala Hoxhaxhiku, që nga janari i këtij viti, merr pagë nga Thesari i Shtetit.
Gruaja e kryeinspektorit të AKI-së është punësuar në Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP) në pozitën Zyrtare e Lartë për Pranim dhe Regjistrim, shkruan Insajderi.
Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje nga Agjencia për të mësuar se me çfarë konkursi është pranuar në punë gruaja e kryeinspektorit të AKI-së, por deri në publikimin e artikullit nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Megjithatë në sistemin e burimeve njerëzore të kësaj agjencie nuk figuron askund pozita Zyrtare e Lartë për Pranim dhe Regjistrim dhe as emri i saj në konkurset e tjera të shpallura nga kjo agjenci, shkruan Insajderi.
Në lidhje me këtë çështje, Insajderi ka kërkuar përgjigje edhe nga kryeinspektori i AKI-së, Kujtim Shala, por deri në publikimin e lajmit nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Në një kërkim në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK), del se Fidane Shala Hoxhaxhiku ka një biznes të shuar dhe një tjetër të hapur.
Kopshti Little Hands SH.P.K. është ende i regjistruar, ndërsa kopshti SMARTDADO SH.P.K. është pasiv që nga viti 2022.
Aktiviteti kryesor i biznesit Little Hands SH.P.K. është kujdesi ditor i fëmijëve.
Megjithatë, ajo që ka tërhequr vëmendjen gjatë kërkimit është se ky kopsht, edhe pse i regjistruar në ARBK, nuk ka pasur aktivitete të postuara në rrjetin social Facebook që nga viti 2021, shkruan Insajderi.
Përfaqësues i autorizuar në këtë kopsht është një familjar i gruas së inspektorit të AKI-së. Basri Hoxhaxhiku, njëri nga aksionarët e këtij kopshti, figuron si përfaqësues.
Në fund të muajit shkurt, Kryeinspektori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Kujtim Shala, është ftuar në Prokurorinë Speciale të Kosovës për një rast të brendshëm në AKI.
Rikujtojmë se Shala, në dhjetor të vitit 2022, është emëruar Inspektor i Përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI) nga presidentja, Vjosa Osmani, dhe nga kryeministri, Albin Kurti.
Para se të emërohej në AKI, Shala ka qenë pjesë e Teknologjisë së Informacionit në FSK.
Gjatë kohës kur ka punuar atje, ai është ndëshkuar në procedurë disiplinore për parregullsi në punën e tij brenda FSK-së. Më pas, qeveria Kurti e ka bërë atë edhe anëtar të Bordit të Postës. Nga FSK-ja ai ishte suspenduar për arsye disiplinore dhe ishte dënuar me ulje të pagës.