×
  • Lajme
  • Lajme

    Laboratori i drogës në Prishtinë, Insajderi sjell emrat e të arrestuarve

    Insajderi
    22 September 2024 - 18:37
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Antidroga e Policisë së Kosovës pas një hetimi disa mujorë ka arritur që këtë të diel të shkatërroj një laborator të drogës, që prodhonte substanca narkotike të llojit kokainë dhe heroinë dhe ka arrestuar dy të dyshuar.

    Gazeta Insajderi merr vesh se Hasan Xhemajli i njohur si “Viktor Bajçinca” dhe Kadri Gashi janë të dyshuarit që u arrestuan.

    Laboratori i drogës është gjetur në bodrumin e një banese në lagjen “Bregu i Diellit”, rruga “Hyzri Talla”, mbrëmë rreth orës 21:50.

    Ndërkohë, Bashkim Zeqaj, Shef i Departamentit të Krimeve të Rënda beri të ditur se janë në kërkim të personave të tjerë të përfshirë në rast, shkruan Insajderi.

    Tutje, prokurori Zeqaj ka thënë se gjatë kontrollit është gjetur një sasi droge e llojeve heroinë dhe kokainë dhe mjete pune për përpunimin e substancave narkotike, si dhe një sasi droge në gjendje të ngurtë prej rreth 7 kilogramë

    Ai shtoi se do ta vazhdojnë hetimin e rastit për personat e mundshëm që ndërlidhen me këtë rast.

    “Dy persona janë arrestuar, këto preparate janë shumë të rrezikshme dhe ndodhet në një vend që ka shumë  banorë. Kemi gjetur edhe mjete përcjellëse që kanë shërbyer për përpunimin e lëndëve narkotike”, deklaroi Zeqaj për Kosovapress.

    Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se hetimi zgjati dhjetë muaj, teksa dozat e prodhuara thuhet se destinoheshin jashtë vendit.

    Dyshohet që ky “Laborator” për përpunimin e substancave narkotike të llojit Heroinë dhe Kokainë  është përdorur nga të dyshuarit për një periudhë kohore, ku pas përpunimit të substancave të njëjtat i paketojnë në doza të vogla për shitje në rajone të ndryshme të vendit”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

    Pamje brenda laboratorit të shkatërruar:

    Njoftimi i plotë:

    Antidroga e Policisë së Kosovës zbulon edhe një laborator të dyshuar për përpunimin e heroinës dhe kokainës

    Prishtinë, më 22 shtator 2024

    Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik po vazhdon punën e saj me intensitet të madh në parandalimin dhe luftimin abuzimit me substanca narkotik.

    Pas një pune hetimore rreth dhjetë mujore dhe aplikimit të masave të veçanta të hetimit  nga hetuesit e antidrogës së Policisë së Kosovës me datë 21.09.2024, rreth orës 21:50, në rrugën “ Hyzri Talla” në Prishtinë, në podrumin e  një banese-vendbanimi është gjetur substancë e dyshuar narkotike në gjendje të lëngshme në enë plastike, e cila ishte në proces të terjes-ngurtësimit  dhe substanca ende të pa detajuara si dhe mjete të punës të cilat janë përdorur për përpunimin e substancave narkotike si  “Laborator”.

    Dyshohet që ky “Laborator” për përpunimin e substancave narkotike të llojit Heroinë dhe Kokainë  është përdorur nga të dyshuarit për një periudhë kohore, ku pas përpunimit të substancave të njëjtat i paketojnë në doza të vogla për shitje në rajone të ndryshme të vendit.

    Policia e Kosovës me njësitet e saj të antidrogës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e përdorimit, kultivimit apo shitjes së substancave narkotike, përderisa masa të ashpra ligjore do të ndërmerren ndaj të gjithë atyre personave të përfshirë në vepra të tilla kriminale që në një mënyrë apo tjetër rrezikojnë shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve tanë.

    Kërkojmë nga të gjithë qytetarët që në të mirën e përgjithshme për çfarëdo informate të rëndësishme që posedojnë në funksion të luftimit të dukurive negative të ndihmojnë Policinë e Kosovës dhe ofrojnë bashkëpunim. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark