Përafërsisht 9,500 qytetarë vdesin çdo vit në Londër për shkak të ekspozimit afat-gjatë në ajër të ndotur. Vdekjet e parakohshme vijnë si pasojë e dy ndotësve kryesorë: grimcave të imta të njohura si PM2.5 dhe gazit toksik, i njohur si dioksidi i azotit (NO2). Këto të dhëna janë publikuar në një raport në Korrik të vitit 2015, nga hulumtues të Kolegjit Mbretëror të Londrës (King’s College London).
Po ashtu, në vitin 2015 metropolet italiane sikurse Milano apo Roma u detyruan që të ndalonin trafikun komplet në mënyrë që gazrat toksike dhe smogu të zvogëloheshin në nivelin e duhur; shkollat fillore u mbyllën përkohësisht dhe qytetarët, sidomos ata të prekur nga sëmundjet respiratore dhe të moshuarit, u këshilluan që të qëndronin në shtëpi ose të dilnin me maska.
Ndërkaq, në Janar të vitit 2013, zyra e Bankës Botërore në Prishtinë ka publikuar një raport “Analizë e ambientit në Kosovë” ku jep këto të dhëna alarmuese.
Së pari, raporti i Bankës Botërore analizon shpenzimet që shteti i Kosovës paguan nga ndotja e ajrit duke theksuar se “çmimi që shteti i Kosovës paguan për ndotjen e ajrit në zonat urbane, sidomos nga ndikimi i ndotjes në shëndetin e njeriut përmes grimcave të imta që rrisin sëmundjet kardio-pulmonare dhe respiratore (bronkiti kornik etj), si dhe kancerin e mushkrive nga ekspozimi i gjatë ndaj ndotjes, arrinë nga 38 deri 163 milion € (apo nga 0.90 deri 3.88 përqind e GDP-së së Kosovës).”
Së dyti, raporti i Bankës Botërore parashikon statistika alarmante mbi ndikimin e ndotjes së ajrit në shëndetin e qytetarëve kosovarë ku “ndotja ajrit parashikohet se shkakton 852 vdekje të parakohshme, 318 raste të reja të bronkitit kronik, 605 raste të shtrimit në spital dhe 11,900 rasteve emergjente çdo vit.”
Ndotja e ajrit vazhdon edhe më tej të mbetet problem alarmant në Kosovë, por çuditërisht (jo) qëllimisht neglizhohet nga politika duke e konsideruar këtë si një çështje sekondare. Janë disa pyetje që duhet ngritur në lidhje me ndotjen e ajrit, sidomos në Prishtinë: cilat janë masat e menjëhershme që duhen marrë nga institucionet relevante dhe autoritetet përgjegjëse kur ndotja arrinë nivele alarmante?
Ku duhet t’i marrin informatat e nevojshme qytetarët kosovarë – sidomos grupet më të ndjeshme sikurse janë fëmijët, të moshuarit, të sëmuarit me sëmundje respiratore, etj. – dhe si të sigurohen qytetarët që informacionet dhe këshillat arrijnë në kohë të shpejtë dhe janë të sakta? Pse ndotja e ajrit, ky vrasës i padukshëm, nuk trajtohet si çështje prioritare nga politika dhe nga qytetarët kosovarë? Si munden të rinjtë të involvohen dhe të marrin pjesë në mënyrë më autentike në trajtimin e çështjes së ndotjes së ajrit?
Për të tentuar që ti përgjigjemi këtyre pyetjeve, në qershor të vitit 2014, një numër organizatash (Transitions Online, Laboratori për Inovacione i UNICEF-it në Kosovë, Internet Artisans, Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatar-PEN dhe Iniciativa për Prosperitet në Kosovë, të mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtmë të Republikës Çeke dhe Zyrës së UNICEF-it në Kosovë) kanë bashkuar forcat që të krijojnë një lëvizje eksperimentale ambientale të quajtur “Shkenca për Ndryshim” (“Science for Change”). Kjo lëvizje ka për qëllim që ti involvojë një numër të rinjësh nga qytete të ndryshme të Kosovës, që të hulumtojnë ndotjen e ajrit duke përdorur pajisje digjitale dhe jo-digjitale, si dhe metoda të ndryshme që janë aplikuar me sukses nga një rrymë relativisht e re në botë që quhet “citizen science” ( “shkenca qytetare”).
Duke parë trendin e ndotjes së ajrit në Prishtinë (veçanarisht në qendër të qytetit) gjatë vitit 2014, Lëvizja “Shkenca për Ndryshim” intensifikon matjet e kualitetit të ajrit në terren gjatë dhjetorit 2015 dhe shkurtit 2016, duke hulumtuar “hostspotet” apo pikat me ndotjen më të lartë me dioksid të azotit (NO2) në kryeqytet. Matjet tregojn se në dhjetor të vitit 2015, Prishtina, sidomos qendra e kryeqytetit, i është ekspozuar një niveli të lartë të ndotjes me gazin toksik të dioksidit të azotit (NO2).