Miroslav Lajcak, emisari special i BE’së për dialogun tha se dy javët e fundit kanë qenë ‘një përvojë intensive diplomatike e përqendruar në avancimin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë’.
Lajcak përmes një shkrimi në “Facebook” njoftoi për takimin që pati me zv.kryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi.
Ai tregoi edhe për tentimin e tij që ta zhvillojë një takim trilateral në Bruksel, me dy kryenegociatorët, atë të Kosovës dhe Serbisë. Por, thotë se nuk arritën që të pajtohen mbi agjendën e këtij takimi.
“Dy javët e fundit kanë qenë një përvojë intensive diplomatike e përqendruar në avancimin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Pas diskutimit tim me Zëvendëskryeministrin Bislimi në Prishtinë, udhëtova drejt Beogradit për të përgatitur takimin e Kryenegociatorëve në Bruksel këtë të martë. Të martën, organizova takime të ndara me Kosovën dhe Serbinë në Bruksel. Edhe pse nuk arritëm të pajtohemi mbi agjendën e një takimi trilateral, diskutuam çështje politike dhe teknike dhe përshkruam hapa të rëndësishëm ndjekës për të orientuar diskutimet tona të ardhshme”, ka shkruar Lajçak në Facebook.