Sot në orën 15:00 sipas kohës sonë, drejtpërdrejt nga Uashingtoni emisari amerikan, Gabriel Escobar dhe ai evropian, Miroslav Lajçak, do të mbajnë diskutim publik lidhur me rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, në kohën kur dialogu është një prej tri kërkesave të tyre kryesore për të dyja palët.
Në njoftimin që e ka lëshuar Këshilli Atlantik thuhet se progresi i fundit në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës përmes dialogut Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja kërcënohet nga përshkallëzimi i tensioneve në veri të Kosovës.
Ky diskutim do të ofrojë njohuri se si SHBA dhe BE synojnë të ndihmojnë në zbutjen e tensioneve dhe të gjejnë zgjidhje të mundshme që Serbia dhe Kosova të krijojnë marrëdhënie më të qëndrueshme.
Deri më tani ftesa për takimin e radhës në Bruksel, ka lënë pa përgjigje Shefin e Diplomacisë Evropiane, Josep Borrell, si nga pala kosovare, po ashtu edhe ajo serbe, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, konfirmoi se data e takimiz nuk është caktuar, por presin nga palët një qëndrim më të arsyeshëm, si dhe të vijnë në Bruksel pa kushte.
Ai tha se ftesa e Borrell-it është një ofertë mundësie për palët për të treguar se ata munden, dhe se një gjë e tillë nuk është për të kënaqur Brukselin, por për të ulur tensionet.
Por, për Kryeministrin e vendit, Albin Kurti ky takim është i mundshëm vetëm atëherë kur të kuptojë për gjendjen e tre policëve patrullues kufitar të rrëmbyer nga forcat serbe të mëkurën e 14 qershorit.
Kurti ka thënë se do të presë vizitën e shefit të Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, në burgun e Kralevës aty ku po mbahen tre policët kufitarë, dhe kur t’i ketë të dhënat se si janë policët, do të marrë vendim nëse do të shkojë në takimin në Bruksel.
“Kur t’i kem të dhënat nga kjo vizitë e tre policëve tanë që po mbahen peng në Serbi si hakmarrje për luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit në Kosovë, do ta marr vendimin dhe do ta jap njoftimin. Vizita (e Jasharit v.j.) është menduar për ditën e nesërme dhe unë do të jem në kontakt me ambasadorin që të më njoftojë për gjendjen e këtyre policëve që po mbahen rob në Serbi”, ka deklaruar Kurti.
Ndërsa, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq gjatë një konference për media të dielën e 18 qershorit, tha se ende nuk ka vendosur nëse do të shkojë në Bruksel në takimin e thirrur për menaxhimin e krizës në Kosovë, duke i quajtur të pakuptimta bisedimet me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.
Gjendja në komunat veriore të Kosovës u tensionua pasi në objektet komunale atje u vendosën kryetarët e rinj shqiptarë, gjë e cila bëri që në tri komunat veriore, përveç asaj të Mitrovicës së Veriut të mbaheshin protesta nga serbët.
Madje, pati edhe përleshje mes protestuesve dhe KFOR-it, ndërsa nuk munguan edhe sulmet e shumta ndaj gazetarëve.