Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë së shtunës ka pritur në takim përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.Pas takimit, Lajçak tha se janë dy vendet që duhet ta përcaktojnë marrëveshjen finale dhe se kjo nuk varet nga ndërmjetësuesit.
“Këtu duhet të vendosin Kosova dhe Serbia. Nuk më takon mua të vendos në emrin tuaj. Pra, kjo është ajo që ka të bëjë me procesin e dialogut”, tha Lajçak.
Ai tha se duan të sigurohen se ka një progres në procesin e normalizimit, i cili sipas tij, është element i rëndësishëm që të mos ketë përshkallëzim të situatës në terren.
“Siç mund ta shihni kjo është një periudhë e ngarkuar. Unë jam këtu pothuajse çdo javë, ose praktikisht çdo javë, dhe gjithashtu miku im i mirë, Gabriell Escobar ishte këtu dhe kjo është për shkak se ne duam të përdorim momentin, ne duam të sigurohemi që ka një progres në procesin e normalizimit, i cili është gjithashtu një element shumë i rëndësishëm që të mos ketë përshkallëzim të situatës në terren, të mos ketë tensione, dhe dhunë. Pra, këto janë çështjet që ne vazhdojmë dhe shpresoj se do ta kuptoni që nuk do të hyj në detaje, por takimi dhe diskutimi me kryeministrin Kurti ishte shumë konstruktiv dhe shumë i dobishëm dhe duket sikur po përparojmë në diskutimin tonë dhe kjo është ndoshta gjithçka që mund të them në këtë pikë”, tha ai.
Për draftet për Asociacionin, Lajçak tha se nuk ka qenë i njoftuar më herët për to. Ai tha se drafti s’është kërkuar nga BE-ja dhe se Bashkimi Evropian e sheh vetëm si “një nga shumë letrat që prodhohen”.
“Për këtë draft kam mësuar nga mediat e juaja në fakt, kështu që unë nuk kam qenë i informuar më parë për këtë, dhe nuk është ndarë me ne kjo, dhe në rregull, kushdo që dëshiron të hartojë letra është i mirëpritur, por ne nuk i kemi kërkuar askujt ta bëjë këtë në emrin tonë. Dhe ne e marrim atë si një nga letrat e shumta që OJQ-të po prodhojnë, dhe kjo është ajo që është. Dua të them, kjo është krejtësisht e ndarë nga procesi ynë i normalizimit dhe nga dialogu”, tha Lajçak.
Sa i përket kërkesës për Qeverinë e Kosovës nga i dërguari amerikan, Gabriel Escobar, që vendimin e reciprocitetit për targat ta shtyjë edhe 10 muaj, ai tha se e kanë diskutuar, mirëpo nuk pranoi ta komentojë. Derisa shtoi se ka qenë një diskutim i hapur dhe i mirë lidhur me këtë çështje.
“Ne jemi në proces të diskutimit për këtë, dhe kjo i takon kryeministrit dhe Qeverisë së Kosovës ta marrin vendimin, ne po mundohemi të ndihmojmë, dhe siç thamë, shqetësimi ynë është që të mos kemi tensione apo dhunë në terren. Kjo është me të vërtetë e rëndësishme, sepse nuk mendoj se është në interes të Kosovës, veçanërisht në këtë moment të rëndësishëm, me kaq shumë procese të rëndësishme që po zhvillohen, diskutimi për liberalizimin e vizave, diskutimi për anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Pra, gjëja e fundit që i duhet Kosovës, do të ishte dhuna këtu në terren. Kështu që ne po përpiqemi të ndihmojmë”, tha ai
Më tej, Lajçak ka pranuar se ndër diskutimet që ka pasur me Kurtin ishte edhe propozimi franko-gjerman, porse ka refuzuar të japë detaje.
“Sigurisht, ne e kemi diskutuar këtë. Kjo është arsyeja pse unë vij këtu në baza javore. Por siç thashë, shpresoj se do ta kuptoni se nuk do ta ndihmonte procesin nëse do të isha ai që do të hyja tani në detaje, do të thoja se kemi një diskutim shumë serioz, shumë të mirë, shumë konservativ, profesional. Këto janë çështje të ndjeshme dhe unë jam në kontakt javor edhe me kryeministrin Kurti, edhe me presidentin Vuçiq për këtë”, tha në fund Lajçak.
Ndërkohë, Qeveria nëpërmjet një komunikate theksoi se gjatë takimit Kurti Lajçak, është diskutuar mbarëvajtja e procesit të dialogut, elementet e kornizës themelore të marrëveshjes, zbatimi i plotë dhe i shpejtë i udhërrëfyesit për energji dhe çështjet aktuale, ishin temat kryesore të diskutimit.
“Kryeministri Kurti e falënderoi Lajçak për angazhimin e tij në rrugën drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në komunikatë.