
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka bërë të ditur se në takimin e paralajmëruar për 2 maj, në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të jetë pjesë e agjendës draftstatuti i parë i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në një shkrim në Facebook të dielën në mbrëmje për punët e tij gjatë javës, Lajçaku e ka paralajmëruar takimin si “të rëndësishëm për implementimin e Marrëveshjes dhe aneksit të saj”.
“Me takimin në ardhje të nivelit të lartë në dialog, më 2 maj, është koha për përgatitje intensive. Si takimi i parë pas takimit të Ohrit, do të jetë i rëndësishëm për implementimin e Marrëveshjes dhe Aneksit. Agjenda do ta përfshijë miratimin zyrtar të Deklaratës për të pagjeturit, prezantimin e draftstatutit të parë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë nga ekipi menaxhues, dhe çështjet aktuale. Prandaj presim që të dyja palët të vijnë në Bruksel të mirëpërgatitura dhe plotësisht të përkushtuara për fazën e implementimit”, ka shkruar ai.
Në fund të shkurtit, Kosova dhe Serbia ishin dakorduar për përmbajtjen e një plani evropian për normalizim raportesh. Më 18 mars, në Ohër palët u pajtuan për Aneksin e zbatimit të tij.