Lajçak: Hapja e Urës së Ibrit duhet të diskutohet në dialog - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Lajçak: Hapja e Urës së Ibrit duhet të diskutohet në dialog

    Insajderi
    14 August 2024 - 22:48
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Emisari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka kundërshtuar zërat se BE-ja është kundër hapjes së urës kryesore të Ibrit, duke i quajtur këto pretendime të pavërteta dhe çorientuese.

    Në një postim në platformën “X”, Lajçak ka theksuar se BE-ja gjithmonë ka insistuar që çështja e hapjes së urës duhet të trajtohet në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga BE-ja.

    “BE-ja ka përsëritur në mënyrë të vazhdueshme se çështja e urës së Mitrovicës duhet të diskutohet në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Pretendimet se BE-ja është kundër hapjes së urës ose ka ndryshuar qëndrim janë të pavërteta dhe çorientuese,” ka shkruar ai.

    Nga ana tjetër,zëvendëskryeministri i Kosovës dhe kryenegociatori për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka deklaruar në “X” se BE-ja po kërcënon me vendosjen e masave të reja ndaj Kosovës nëse zbatohet marrëveshja që vetë ajo ka ndërmjetësuar.

    Bislimi ka shpjeguar se gjatë vizitës së fundit të Lajçakut në Kosovë më 19 qershor, emisari i BE-së kishte rekomanduar që çështja e urës mbi lumin Ibër të diskutohej brenda dialogut në Bruksel ose, nëse Kosova nuk e preferon këtë, të zhvillohen bisedime të brendshme me serbët lokalë.

    Gjithashtu, një partner i QUINT-it kishte kërkuar që të kryheshin inspektime teknike.

    Pas përmbushjes së këtyre kërkesave, Bislimi ka theksuar se BE-ja tani po kërcënon me masa ndaj Kosovës në rast të hapjes së urës për qarkullim të automjeteve.

    Vendet e QUINT-it, SHBA, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, e kanë quajtur të njëanshëm synimin e Qeverisë së Kurtit për rihapjen në këtë kohë. BE-ja ka bërë thirrje që çështja e urës të diskutohet në dialog me Serbinë.

    Ambasadori i amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha në një intervistë për REL të martën se ka rrezik të vërtetë lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

    “Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë”, tha Hovenier.

    Autoritetet e Kosovës kanë thënë se vetëm janë duke e zbatuar marrëveshjen e arritur më parë në dialogun e Brukselit midis Kosovës dhe Serbisë për hapjen e urës, e cila nuk u realizua kurrë./Telegrafi/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark