
“Dëshmia se një puding është i mirë është në të shijuarin dhe dëshmia e një marrëveshje është në zbatimin e saj. Prandaj tash përqendrimin e kemi te zbatimi”, tha Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi duke folur për Marrëveshjen Bazë dhe Shtojcën e Zbatimit për normalizimi ne marrëdhënieve, shkruan Insajderi.
Këtë koment Lajçak e bëri në një intervistë dhënë për Radion Evropa e Lirë (shërbimi në gjuhën serbe) ku tha se pranimi i marrëveshjes në Bruksel dhe Ohër shënon një gur kilometrik në normalizimin e marrëdhënieve mes palëve.
“Nuk është fshehtësi që ne, si ndërmjetës, fillimisht përgatitëm një Shtojcë Zbatimi më të detajuar. Me një sekuencim hapash shumë më të qartë për afate kohore. Në atë mënyrë do të ishte shumë më e lehtë matja”, tha Lajçak.
Ani pse nuk është nënshkruar, Lajçak e merr për punë të kryer se marrëveshja është “ligjërisht dhe ndërkombëtarisht e detyrueshme për palët”.
“Presidenti Vuçiq e bëri të qartë se nuk është në gjendje ta nënshkruajë këtë dokument. Ai përmendi kufizimet kushtetuese. Përsëri kemi bërë disa propozime për zgjidhjen e kësaj çështjeje, por ato janë refuzuar”.
“Në fund ramë dakord që ky dokument të zyrtarizohet përmes deklaratës së Përfaqësuesit të Lartë të BE-së (Josep Borell), e cila u dha të shtunën. Kjo është plotësisht në përputhje me praktikën ligjore ndërkombëtare”, tha Lajçak.
“Prandaj, kjo do të thotë se ky dokument është i detyrueshëm, se është zyrtar, formal dhe të gjitha spekulimet për vlefshmërinë apo jo të tij janë të pakuptimta”, u shpreh ai.
Dokumenti është i detyrueshëm në dy drejtime, sipas Lajçak: së pari, në njoftimin e përfaqësuesit të lartë, dhe së dyti, duke u bërë pjesë e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian ose agjendës së BE-së për Serbinë dhe Kosovën.
“Tani fokusi është te zbatimi dhe në fund, ne si ndërmjetës do t’u raportojmë rregullisht shteteve anëtare (BE) një herë në muaj për progresin. Dhe sigurisht, ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë shumë ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jam shumë mirënjohës që ata i kanë mbështetur përpjekjet tona si para Ohrit, në Ohër dhe do të vazhdojnë edhe pas Ohrit”./Insajderi/