Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, konfirmoi për takimin përgjatë ditës ndërmjet tij dhe emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Ai në një prononcim për Gazetën Insajderi ndonëse konfirmoi takimin, nuk bëri të ditur orën e saktë kur pritet të mbahet.
I pyetur nëse do të jetë pjesë e diskutimit çështja e Urës së Ibrit, ai tha se nuk ka agjendë specifike të takimit.
“Nuk kemi pika specifike paraprakisht, dalim në takim tani i flasim të gjitha”, deklaroi shkurtimisht ai.
Lajçak më herët është deklaruar se s’është koha që të hapet për qarkullim Ura e Ibrit.
“Përderisa flasim, në Mitrovicë ka kërkesë për ta hapur urën dhe atmosfera dukshëm s’është e duhura për këtë”, deklaroi ai.
Kuvendi Komunal me shumicë e ka votuar propozimin për hapjen e Urës së Ibrit. Vendimi iu është dërguar MAPL-së dhe MPB-së, derisa këto dyja nuk kanë qenë të hapura për publikun që të komentojnë një çështje të tillë. /Insajderi.org/