Lajçak tregon se çka i tha Kurtit për shpronësimet në Leposaviq - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Lajçak tregon se çka i tha Kurtit për shpronësimet në Leposaviq

    Insajderi
    13 March 2023 - 16:11
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në takimin e së premtes ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, përveç plan-propozimit të BE’së dhe takimit trepalësh në Ohër, temë ishin edhe shpronësimet në zonat kadastrale Dren dhe Leshak në Komunën e Leposaviqit të shpallura si zona me interes të veçantë publik nga Qeveria e Kosovës në janar të këtij viti, e ku parashihej ndërtimi i një stacioni policor kufitar, shkruan Insajderi.

    Se janë zhvilluar bisedime pikërisht për këtë temë njoftoi vetë Lajçak duke folur për media serbe “KoSSeV” për çka tha se në lidhje me këtë temë ia ka përçuar këto “shqetësime” kryeministrit kosovar.

    “Serbët nuk duhe të zihen në befasi por të jenë të informuar”, ka thënë Lajçak në përgjigjen ndaj medias, e cila e pyeti se a është në dijeni “se shpronësimet u shpallën pa dëgjim publik”.

    “Po e monitorojmë situatën deri në hollësitë më të vogla”, u përgjigj Lajçak për gazetaren Tatjana Lazareviq. “Dhe, po, e diskutuam këtë gjatë vizitës sime, kësah here për shpronësimet, rreth disa çështjeve tjera që përfshijnë komunitetin serb dhe që do të kërkonte një nivel të madh mirëbesimi dhe konsultimi”.

    “Mesazhi im ka qenë, sigurohuni që çdo hap të jetë i mbështetur në legjislacionin ekzistues, që ligjet tuaja të respektohen dhe që popullata e afektuar të ndjehet pjesë e procesit dhe jo vetëm të jetë e ekspozuar ndaj rezultatit të procesit”.

    “Pra, ky është mesazhi im për homologët e mi këtu në Prishtinë, që sa herë që marrin një vendim që ndikon në jetën e serbëve të Kosovës, është e rëndësishme që ata të ndihen të përfshirë, të konsultohen dhe të informohen, që të mos kapen në befasi. . E njëjta gjë vlen edhe për komunitetin ndërkombëtar”, shtoi ai, përcjell Insajderi.

    Lajçak tha se është në dijeni që niveli i besimit ndërmjet komunitetit serb dhe qeverisë kosovare “është tejet i ulët”.

    “Ne po provojmë të ndihmojmë të rrisim këtë mirëbesim, bashkërisht. Çfarë është në të vërtetë e rëndësishme është që gjithçka që ndodh të jetë qartësisht e trupëzuar në kornizë ligjore, dhe që të bëhet në mënyrë pjesëmarrëse, përfshirëse”, tha Lajçak.

    Për çfarë shpronësime bëhet fjalë?

    Në fshatin Dren të Komunës së Leposaviqit kishin nisur punimet për ndërtimin e stacionit të policisë kufitare, kanë konfirmuar për Insajderin nga Policia e Kosovës.

    Kjo zonë me vendim qeveritar u shtetëzua si zonë e interesit të veçantë publik për realizimin e “Projekteve Infrastrukturore për Interesin Publik”, ku parashihej të ndërtohet stacion i policisë kufitare.

    Me vendim qeveritar, 80 hektarë tokë në Zonën Kadastrale: Dren dhe Leshak, në Komunë të Leposaviqit u shpallën të interesin të veçantë publik të nevojshme për realizimin e “Projekteve Infrastrukturore për Interes Pubik”, shkruan Insajderi.

    Qeveria me vendim urdhëroi Departamentin e Shpronësimit në koordinim me Ministritë përkatëse të inciojë procedures për shpronësimin e këtyre pronave të paluajtshme.

    Shpronësimi ishin planifikuar për shtatë parcela në zonën kadastrale Dren. Prej tyre thuhet se pronar për një është Komuna e Leposaviqit, dhe për katër është pronë shoqërore, gjegjësisht se pronari është kompani dhe dy janë në pronësi të personit DJ.

    Për gjashtë nga shtatë parcelat jepen informacione për sipërfaqen. Është gjithsej 395977 metra katrorë, pra më shumë se 39 hektarë.

    Për zonën kadastrale Leshak thuhet se janë duke u shpronësuar 13 parcela. Nga ky numër, dy janë gjithashtu në pronësi të një kompanie, dhe 11 të tjerat figurojnë si individë, ndërsa për parcelat individuale janë disa bashkëpronarë. Sipërfaqja e përgjithshme e të gjitha parcelave është 427.533, pra më shumë se 42 hektarë.

    Sipërfaqja e përgjithshme e të gjitha parcelave e kalon sipërfaqen prej 80 hektarësh dhe sipas një imazhi satelitor të publikuar nga mediat serbe.

    Vendimi i Qeverisë:

    /Insajderi/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark