Ish-anëtari i Komisionit Qeveritar për përcaktimin e kufirit me Malin e Zi, Ali Lajçi, i ka bërë thirrje koalicionit qeverisës që marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi mos ta procedojë në Kuvendin e Kosovës pa arritur konsensus të gjerë.
Në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se për këtë çështje duhet të hapet debat.
“Kjo çështje kërkon shtyrje dhe rishikim. Pa konsensus nuk duhet të shkojë në Kuvend demarkacioni, sepse do të bëhemi helaq. Nuk duhet të shkojë kjo çështje pa debat të gjerë shoqëror, pa konsensus nacional dhe pa bindje të gjerë”, ka thënë Lajçi.
Ai i ka ftuar deputetët ta kundërshtojnë versionin aktual të kufirit me Malin e Zi.
“Deputetët nuk duhet ta përkrahin këtë version të kësaj marrëveshje në Kuvend, por duhet ta kundërshtojnë, sepse ka të bëjë me sovranitetin dhe territorin e vendit. Edhe vetëm tre deputetë me qenë kundër nuk duhet që demarkacioni të shkojë në ratifikim, sepse kjo çështje është shumë e rëndësishme. Po të kishim një referendum nuk besoj se versioni aktual i kësaj marrëveshje do të kalonte”, është shprehur Lajçi.
Ratifikimi i kësaj marrëveshje, sipas Lajçit, do ta destabilizonte vendin dhe do ta thellonte krizën në vend.
“Nuk duhet të mbyllet kjo çështje siç edhe ka ndodhur, duke tentuar të frenohen alternativat dhe argumentet e tjera rreth kësaj marrëveshje”, është shprehur Lajçi.