Përkundër se vizita për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës iu është shtyrë dy ministrave të partisë në pushtet dhe tre kryetarëve të komunave, një gjë e tillë nuk ka ndodhur me kreun e opozitës. Lideri i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi pritet që javën tjetër të udhëtojë për në SHBA.
Krasniqi i ka thënë shkurt Insajderit, se javën tjetër do të vizitojë ShBA-në pa dhënë ndonjë detaj shtesë.
“Po. Javën e ardhshme udhëtojë për në SHBA”, deklaroi Krasniqi.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni dhe ai i Shtimës, Qemajl Aliu, iu ka pamundësuar vizita për në ShBA.
Ndonëse është aluduar se vizita e tyre është shtyrë për shkak të mos plotësimit të kërkesave të ShBA-ve nga ana e kryeministrit, Albin Kurti, ndryshe ka deklaruar ambasadori amerikan.
Jeffrey Hovenier, tha mbrëmë se vizita e tyre është shtyrë për shkak të situatës aktuale në Kosovë që sipas tij, është e tensionuar. /Insajderi