Më në fund, Kryeministri Kurti kthehet nga Greqia – Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Më në fund, Kryeministri Kurti kthehet nga Greqia

    Insajderi
    14 July 2022 - 10:41
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Pas nëntë ditësh qëndrimi në Greqi, kryeministri i vendit, Albin Kurti sot iu kthye sërish atdheut.

    Kthimi i tij u konfirmua nga pjesmarrja në seancën e Kuvendit që po zhvillohet tani, ku mori përshëndetje nga kryekuvendari Glauk Konjufca.

    “Mirë se erdhe kryeministër”, tha Konjufca, teksa shefi i qeverisë hyri në sallë.

    “Qenke rrezitur” ishin fjalët me të cilat shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, e ka pritur në seancë parlamentare kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    Qëndrimi i Kurtit atje është kritikuar nga partitë opozitare.

    Shefi i ekzekutivit, për më shumë se një javë qëndroi në bregdetin e Lagonisit në Greqi.

    Arsyeja e vizitës së Kurtit në Greqi ishte fillimisht pjesëmarrja në Tryezën e The Economist, pastaj u raportua edhe se ishte pjesmarrja në simpoziumin “Symi”. Aktiviteti po mbahej në “Grand Resort Lagonissi”, një ndër resortet më luksoze në mbarë globin.

    Brenda “Grand Resort Lagonissi”

    I vlerësuar me notën më të lartë nga vizitorët dhe resort me 5 yje, këtu i qoi 9 ditët kryeministri i vendit.

    Çmimi për një person varion nga 465 euro dhe më lartë, në të përfshihet mëngjesi, parkingu, pishina, wifi-ja, transferi për në aeroport dhe fitnesi.

    Ky çmim sipas ueb faqes së resortit vlen vetëm edhe për 30 ditët e ardhshme, dhe se 465 euro është çmimi më i lirë.

    Qëndrimin e Kurtit “Grand Resort Lagonissi” vjet e kishte zbuluar ish-kryeministri i Greqisë, George Papandreou, në një postim në Facebook.

    Tryeza e The economist, Simpoziumi “Symi” dhe kritikat ndaj Kurtit

    Kryeministri Albin Kurti kishte shkuar në Greqi që nga 5 korriku për të marrë pjesë në Tyrezën e The Economist që zgjati deri me 9 korrik, mandej u raportua se mori pjes edhe ne Simpoziumin “Symi” ku e mbajti edhe një fjalim të gjatë.

    Kjo nuk ishte hera e parë për Kurtin pasi në aktivitietin e njejtë mori pjesë edhe vitin e kaluar

    Mes kritikash të shumta, kryeministri kishte qëndruar në këtë vend edhe vitin e kaluar ndërsa në Deçan ishte shpallur situatë emergjente për shkak të helmimit të mbi 500 qytetarëve, ndërsa dy kishin vdekur.

    Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku të martën ka ngritur dilema rreth qëndrimit të kryeministrit Albin Kurti në Greqi. Ajo tha se në ngjarje si tryeza ndërkombëtare vjetore e revistës prestigjioze “The Economist” javën e kaluar, kryeministri rri “më së shumti 2 ditë”.

    “Sinqerisht, a din dikush me më tregu qe sa ditë është Kryeministri në Greqi? Rëndom, në konferenca të tilla, Kryeministri shkon në hapje, e mbanë fjalimin/takimet dhe kthehet. Më së shumti 2 ditë”, shkroi ajo, duke shtuar se “Kosovën po e qeverisë Besnik Bislimi”

    Madje Çitaku tha se qeverinë duhet ta quajmë Bislimi 1 dhe jo Kurti 2.

    “As Kryeministri i Greqisë nuk rrin aty 1 javë, e lëre më të tjerët. Kosovën po e qeverisë Besnik Bislimi. Duket se kjo është Qeveria Bislimi I, jo Kurti II”, shtoi Çitaku.

    Organizimi i simpoziumit dhe takimet e Kurtit

    Më datë 5 të këtij muaji, kryeministri udhëtoi drejtë Greqisë, qëllimi i vizitës atje ishte pjesmarja në Tryezën e Rrumbullakët me Qeverinë e Greqisë.

    Siç njoftonte Zyra e Kryeministrit, Tryeza e Rrumbullakët me Qeverinë e Greqisë ishte arsyeja kryesore e vizitës. Kjo tryezë u organizua nga Qeveria e Greqisë dhe prestigjiozja britanike “The Economist” me mbështetjen e Parlamentit Europian dhe Komisionit Europian.

    Pas kësaj ngjarjeje, Kurti po merr pjesë edhe në simpoziumin e 24-të “Symi”. Në margjinat e kësaj ngjarjeje, Kurti e takoi të martën emisarin e Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark