Komuna e Klinës ka njoftuar qytetarët për ndërprerjen e qarkullimit të trafikut në segmentin rrugor nga udhëkryqi i Gjakovës në Klinë deri te udhëkryqi i rrugës për Gjurgjevik, gjatë ditës së sotme nga ora 15:00 deri në përfundimin e punimeve.
Përmes një postimi në Facebook, kjo komunë ka bërë të ditur se arsyeja e ndërprerjes lidhet me punimet për zgjerimin e rrugës nacionale N9.1, konkretisht realizimin e minimit të masave shkëmbore.
“Ju njoftojmë që ditën e Enjte me datën 12.12.2024, në trasenë e Zgjerimit të Rrugës Nacionale N9.1, Segmenti Kijevë-Dollc LOT-3, do të realizohet minimi NR-4 i masave shkëmbore nga ana e majtë dhe e djathtë e zgjerimit të rrugës”, thuhet në njoftim.
Autoritetet lokale dhe kompania kontraktuale i kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet në këtë zonë përgjatë procesit të punëve.