![](https://a3748898.delivery.rocketcdn.me/wp-content/themes/insajderi-org/logo/menu-insajderi.png)
Është djegur një veturë pas mesnate në Veri të Mitrovicës. Vetura ishte në pronësi të një serbi nga Zubin Potoku.
Sipas njoftimit të policisë, vetura ishte pronë e një serbi, i cili kishte konvertuar targat ilegale në ato RKS, shkruan Insajderi.
“Policia e Kosovës, me datën 02.11.2022, në orën 03.34 (pas mesnate) përmes linjës telefonike ka pranuar një informacion për djegien, vënien e zjarrit ndaj një veture të tipit Hyndai me targa RKS, pronë e viktimës mashkull kosovar i komunitetit serb, nga komuna e Zubin Potokut”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Njësitet relevante policore nga stacioni policor Zubin Potok, njoftojnë se i janë përgjigjur menjëherë vendit të ngjarjes, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore si dhe kanë njoftuar ekipin e zjarrfikësve, të cilët kanë dalë po ashtu në vendin e ngjarjes.
Ky nuk është rasti i vetëm. Edhe një veturë tjetër është djegur pasi pronari ka konvertuar targat në RKS.
Vetura ishte djegur në Leposaviq.
Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e veriut, Branisllav Radoviq.
“Në rrugën pranë çerdhes së vjetër në Leposaviq, është djegur automjeti VW ngjyrë hiri, pronë e C. N. (1991) me targa të Kosovës. Në vendin e ngjarjes janë ekipet e zjarrfikësve, policisë, si dhe inspektorët, ndërsa është informuar edhe prokurori i shtetit, i cili e ka karakterizuar incidentin si ‘zjarrvënie’. Hetimet janë në zhvillim”, ka thënë ai.
Sot është dita e dytë kur ka hyrë në fuqi zbatimi i planit të Qeverisë së Kosovës për qortimin e pronarëve që nuk i konvertojnë veturat me targa RKS. / Gazeta Insajderi/