Ish-kapiteni i kombëtares shqiptare, Altin Lala, ka thënë se Kosova e Shqipëria duhet që të arrijnë një marrëveshje mes vete tani kur Kosova është bërë anëtare me të drejta të plota të UEFA-s.
Ai ka lavdëruar kontributin e futbollistëve nga Kosova që luajnë për Shqipërinë, dhe ka kërkuar që situata tani të menaxhohet mirë nga të dy palët – Shqipëria e Kosova.
“Ne duhet ta pranojmë këtë realitet, por duhet të jemi të kujdesshëm ta menaxhojmë mirë. Kjo nuk duhet bërë modë. Dhe nuk e kam fjalën vetëm për ata që ikin nga Shqipëria te Kosova, por edhe anasjelltas”, ka thënë ai.
“Duhet vendosur ndoshta një kod etike mes dy vendeve, apo edhe një marrëveshje specifike që kjo situatë me kalimin e kohës të mos vijë duke u rënduar. Kështu do të kishim një garë vetëshkatërruese mes dy vendeve”, ka shtuar Lala në një intervistë për gazetën shqiptare Panorama Sport.
“E theksoj, duhet menaxhuar mirë kjo situatë, sepse nuk duhet kurrsesi të lejohet nga të dyja kampet që lojtarët të shfrytëzojnë faktin që kanë dy mundësi zgjedhjeje dhe më pas të cenojnë atmosferën apo edhe projektet që ndërtojnë stafet dhe vendet respektive”.
Lala ka folur edhe për vendimin e trajnerit të Shqipërisë, De Biazi, lidhur me mosgrumbullimin e Milot Rashicës për Evropian.
Sipas tij, Rashica ka qenë në formë të mirë dhe ka bërë stinor të shkëlqyer dhe “në çdo vend të botës thirren lojtarët që kanë bërë një stinor mbi mesataren.”/Insajderi.com