Ish-kapiteni i kombëtares shqiptare Altin Lala thotë se asnjë nga futbollistët që e refuzuan kombëtaren nuk duhet të jenë pjesë e saj në Kampionatin Evropian që mbahet gjatë kësaj vere në Francë.
Lala nuk është dakord që futbollistët që refuzuan njëherë të jenë pjesë e këtij grupi t’i bashkëngjiten atij vetëm në “Euro 2016”.
“Mendoj se ata që refuzojnë të hipin njëherë në autobusin e Kombëtares, nuk mund t’i kërkojnë atij të ndalet dhe të hipin kur ekipi është kualifikuar dhe autobusi shkon drejt Francës”, tha ikona e klubit gjerman në një intervistë për “Panorama Sport”, raporton Insajderi.
41 vjeçari ishte pjesë e stafit të De Biasit në gjysmën e këtyre kualifikimeve por e ndërpreu në gjysmën bashkëpunimin me Federatën Shqiptare të Futbollit duke u kthyer në Gjermani.
Ish-kapiteni i Hannoverit thotë se tani është duke u marrë me menaxhimin e futbollistëve, madje ai është menaxher i kosovarit Milot Rashica i cili paraqitet me Vitessen në Holandë.
Lala është futbollisti i dytë me më shumë paraqitje në Kombëtaren shqiptare pas Lorik Canës me 79 ndeshje të zhvilluara në të cilat ka shënuar tri gola.