Kandidatja për diplomate të Kosovës në Itali, Alma Lama nuk është përgjigjur në pretendimet e anëtares së Komisionit për Punë të Jashte Puhie Demaku, se ajo i është shmangur pyetjeve gjatë intervistimit për ambasadore, që është zhvilluar sot.
Lama përmes një statusi në Facebook vetëm ka njoftuar se i është nënshtruar këtij intervistomit dhe shpreson të marrë vlerësimin pozitiv të komisionit.
“Tani e tutje do ta vazhdoj rrugën e diplomacisë me përkushtimin tim të plotë, për ta prezantuar në mënyrën më të mirë shtetin e Kosovës dhe interesat e qytetareve të saj në shtetet pritëse”, shkruan ajo.
Ajo ka përmendur sfidat e shumta që ka pasur, duke thënë se është bërë “luftë speciale” për ta shkatërruar reputacionin e saj.
“Si përfaqësuese e shtetit të Kosovës, do t’i prezantoj të gjithë në mënyrën më të mirë të mundshme atje ku do të shkoj. Natyrisht pa hequr dore nga ruajtja dhe mbrojtja e dinjitetit tim personal, dinjitetit familjar dhe dinjitetit te grave”, tha ajo. /Insajderi.