Sot do të lansohet pilot projekti i Skriningut të Kancerit të Qafës së Mitrës në Komunën e Prishtinës, pilotim ky që do të bëhet për herë të parë në Kosovë.
Në një njoftim për media, bëhet e ditur se ky projekt realizohet me qëllim të prezantimit të projektit pilotues mbi skriningun e kancerit të qafës së mitrës në Prishtinë, që është pjesë e Programit Nacional për Kontroll të Kancerit në Kosovë.
Ky projekt synon të shërbejë si model në krijimin dhe implementimin në tërësi të Programit Nacional të Skriningut të Kancerit të Qafës së Mitrës në Kosovë.
Përpos ofrimit të këtij shërbimi të ri në kuadër të mjekësisë familjare, synohet që të iniciohen diskutime në mes të institucioneve dhe grupeve të interesit me qëllim të hartimit dhe implementimit të politikave shëndetësore që ndërtojnë një sistem cilësor të skriningut të kancerit të qafës së mitrës si e drejtë shëndetësore, e paraparë me Ligjin për Shëndet Riprodhues, si dhe e planifikuar në Programin Nacional për Kontrollin e Kancerit.
Lansimi do të bëhet sot, duke filluar nga ora 11:00, në Hotelin Sirius në kryeqytet.