
Presidenti i FC Barcelonës, Joan Laporta, ka zhvilluar një takim privat me kreun e UEFA-s, Aleksander Ceferin, në përpjekje për të lehtësuar ose shmangur një dënim të mundshëm për klubin katalanas lidhur me parregullsitë financiare.
Sipas një raportimi të “Marca”, Laporta udhëtoi në Mynih jo vetëm për të ndjekur finalen e Ligës së Kombeve, por edhe për të zhvilluar një takim konfidencial me Ceferin, mbrapa dyerve të mbyllura, shkruan Insajderi.
Në qendër të diskutimeve ishte pikërisht dënimi që pritet të shqiptohet ndaj Barcelonës për shkelje të rregullave financiare.
Më konkretisht, UEFA ka shprehur shqetësime lidhur me mënyrën se si klubi ka deklaruar të ardhurat përmes të ashtuquajturave manovra financiare ‘levat’, që përfshijnë shitjen e të drejtave televizive të ardhshme dhe të aseteve të tjera. Këto të ardhura, ndonëse të miratuara nga La Liga, nuk pranohen nga UEFA si të rregullta, duke u cilësuar si burime të jashtëzakonshme që bien ndesh me rregullat e reja të Qëndrueshmërisë Financiare.
Kjo strategji financiare e ‘levave’ i ka mundësuar Barcelonës që të bëjë blerje të rëndësishme si Robert Lewandowski dhe Jules Kounde, edhe pse klubi ndodhej nën presion të madh ekonomik.
Rregulloret e Qëndrueshmërisë Financiare, të cilat zëvendësuan sistemin e mëparshëm të Fair Play-it Financiar, kërkojnë nga klubet evropiane që të ruajnë një balancë të qëndrueshme mes të ardhurave dhe shpenzimeve. Sipas UEFA-s, manovrat financiare të Barcelonës janë afatshkurtra dhe bien ndesh me këto parime të reja që synojnë më shumë transparencë dhe mbikëqyrje më të rreptë.