×
  • Lajme
  • Analiza

    Largimi i Blerim Sylës, kritikuesit të zëshëm, qetëson sindikatën e mjekëve: Nuk marrim pjesë në grevë

    Insajderi
    25 August 2022 - 19:58
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në të kaluarën, Sindikata e Mjekëve të Kosovës, e ka ngritur zërin për shumë çështje, duke mbajtur edhe greva disa javore, ndërsa tash – kur numër i madh i mjekëve e kanë lënë Kosovën, dhe kur në diskutim është Ligji i Pagave – e njëjta është duke heshtur, madje ka refuzuar të jetë edhe pjesë e grevës së përgjithshme të BPSK-së.

    Gazeta Insajderi

    Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës nuk do të hyjë në grevë, ashtu siç kanë paralajmëruar Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës si dhe Administrata.

    FSShK ka dalë me qëndrim kundër grevës pasi që, sipas tyre, punëtorët shëndetësorë e gëzojnë shtesën prej 60 euro dhe nuk e shohin të aryshme që të hynë në grevë.

    “Kërkesat nuk janë në interes të punëtorëve shëndetësor sepse punëtorët shëndetësor e gëzojnë shtesën prej 60 euro dhe nuk është arsye e mjaftueshme FSSHK të merr veprime sindikale sic janë Grevat për 40 euro gjithashtu se Ligji i Pagave është proceduar për miratim në Qeveri dhe priten konsultime rreth tij”, thuhet në komunikatën e Federatës.

    “Kryesia vendos që t’i hap rrugë dialogut për vërejtjet dhe kërkesat e punëtorëve shëndetësor t’i realizojë nëpërmjet dialogut me komisionet përkatëse si dhe me Qeverinë e Republikës së Kosovës. Prandaj duke pasur parasysh edhe situatën politike duke mos përjashtuar mundësinë e veprimeve sindikale,konsideron se për momentin nuk ka asnjë arsye madhore të hyjmë në Grevë”, vazhdon njoftim.

    Se kjo sindikatë nuk do t’i bashkohet grevës që ka nisur sot, Gazeta Insajderi, ka raportuar të shtunën.

    Lajmin atë ditë për Gazetën Insajderi e ka konfirmuar vetë drejtuesja Tevide Imeri, e cila ka treguar edhe arsyet e mospjesëmarrjes.

    “Në takimin që e kemi mbajtut në kuadër të BSPK-së, aty ku jemi prezent 9 ose 11 sindikata gjithsej, 3 kanë qenë pro grevës, na tjerat kundër – për arsye se kërkesa e SBASHK-ut, ka qenë për 100 euro deri në implementim e Ligjit për Pagat”, ka thënë Imeri për Gazetën Insajderi.

    Ajo ka treguar se punëtorët shëndetësorë i marrin 60 euro shtesë, dhe sipas saj për 40 euro të tjera në mënyrë që të bëhen 100, kanë refuzuar të futen në grevë.

    “Plus Ligji për Pagat pretendohet se në shtator do të vjen në parlament, siç e patë që erdhi në Qeveri, dhe të shohim pastaj”, ka thënë tutje Imeri, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kryetarja e Sindikatës, ka zbuluar që pasi ta shohin saktësisht çfarë do të përfshijë Ligji i Pagave, dhe nëse do të jenë të pakënaqur, atë herë do të protestojnë në formën e tyre.  

    “Në qoftëse me të vërtetë jemi të pakënaqur sigurisht që ne grevën e kemi të vetmen armë që luftojmë për të drejtën e punëtorëve”, tha ajo për Gazetën Insajderi, duke ritheksuar se “për momentin s’e kemi pa të arsyeshme të jemi në grevë”.

    Heshtja e Sindikatës së Mjekëve kritikohet nga ish-udhëheqja e zëshme

    Blerim Syla, ish-kryetari i Federatës së Mjekëve të Kosovës, e ka kritikuar udhëheqjen e tanishme të Sindikatës.

    “Këta siç duket e kanë fut kokën në zall, dhe nuk dojnë më lëvizë. Është për të ardhur keq, se me të vërtetë Federata e ka pas një za shumë të rëndësishëm, por ja që sot në krizën kur po ikin mjekët, kur spitalet po shkatërrohen – se kemi asnjë zë, normalisht që kjo i konvenon secilës qeveri, e sidomos kësaj qeverie”, ka thënë Syla për Gazetën Insajderi.  

    Lexo edhe:

    Ai ka thënë se ka mjaftuar vetëm një takimi që udhëheqësja e re, Tevide Imeri, e pati me kryeministrin Albin Kurti, që ajo te heshti para kërkesave të mjekëve.

    “Vetëm një takim me z. Kurti, dhe më asnjë deklaratë – apo iniciativë sa i përket Ligjit për Pagat i cili Ligj nuk ka ndryshuar asgjë, sidomos sa i përket infermierëve. Kjo po tregon, që politika ka qenë e interesuar që ta shkatërrojë Sindikatën e Shëndetësisë, që në vlugun e reagimit sindikal të BSPK-së ata heshtin, dhe nuk kemi asnjë veprim”, ka thënë tutje Syla për Gazetën Insajderi, duke zbuluar se “as kontrata kolektive nuk është duke u zbatuar, pra po shkelen të drejtat e punëtorëve, dhe asnjë deklaratë nuk e kemi nga sindikata”.

    Derisa udhëheqësja e Sindikatës, ka thënë se në takimin që e ka pasur me kryeministrin e Kosovës, i ka renditur të gjitha problemet që ajo i përfaqëson, por sipas saj “gjërat nuk mund të zgjidhen me magji, brenda 24 orësh”.

    “Nuk kam qejf me u merr me deklaratat e ish-udhëheqjes, unë i kam kolegë janë qëndrime të tyre personale, ose të grupit të vet. Është mendim i tyre, unë mendoj që jemi tu punu maksimalisht në këtë drejtim”, ka thënë Imeri për Gazetën Insajderi.

    Në të kaluarën, Sindikata e Mjekëve të Kosovës, e ka ngritur zërin për shumë çështje, duke mbajtur edhe greva disa javore, ndërsa tash – kur numër i madh i mjekëve e kanë lënë Kosovën, dhe kur në diskutim është Ligji i Pagave – e njëjta është duke heshtur, madje ka refuzuar të jetë edhe pjesë e grevës së përgjithshme të BPSK-së.

    Udhëheqësia e re e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës është zgjedhur në muajin prill. Kundër saj ka dalë ish-drejtuesi Blerim Syla, që sipas tij “zgjedhja ka qenë jolegjitime”.

    “Unë kam bë kallëzim penal, rasti është në Prokurori, unë shpresoj shumë në Prokurori – që të marrin vendim për masë të përkohshme”, ka zbuluar Syla për Gazetën Insajderi, që sipas tij “kryesia aktuale përbëhet nga njerëz që janë absolutisht joprofesionalë”.

    Derisa, Imeri i ka thënë Gazetë Insajderi se zgjedhja e saj “nuk ka ka të bëjë me asnjë lloj shkeljeje”.

    “Ata kanë bë një kallëzim penal në Prokurori, ku kanë lyp edhe masa të përkohshme, unë nuk kisha dasht me u lëshu në deklarata sepse i kam kolegë, dhe i respektoj – ata e kanë quajt jo legjitime, janë duke e prit vendimin e gjykatës, ndërsa ne po punojmë”, ka thënë Imeri për Gazetën Insajderi.

    Vitin e kaluar, Kurti uronte të ndërrohen drejtuesit e sindikatave në Kosovë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhjetorin e vitit që shkoi thoshte se “është mirë që të ketë ndryshime në krye të organizatave sindikale, njësoj siç kanë ndodhur ndryshime në politikë”.

    “Uroj që të ketë gjithandej ndryshime, pra siç po bëhen ndryshime në politikë, unë besoj që duhet të ketë ndryshime në çdo sferë të jetës shoqërore, profesionale, për shkak se jam i bindur që edhe punëtorët shëndetësorë, por edhe qytetarët e Republikës së Kosovës, nuk mjaftohen që për shumë e shumë vite të vazhdojnë t’i përfaqësojnë të njëjtit njerëz, kushdo që ata qofshin, apo kudo që ata janë”, tha Kurti.

    Ai shtonte se i kupton grevat, por sipas tij, “mirëkuptimi im varet nga ligjshmëria e tyre”.

    “Duhet të kemi greva të ligjshme sepse Qeveria e Kosovës po bën gjithçka që të ju dalë në ndihmë punëtorëve shëndetësorë”, pati thënë Kurti, pasi më 25 nëntor dhe më 2 dhjetor të vitit të kaluar stafi shëndetësor pati mbajtur grevë 8-orëshe.

    Grevistët kërkonin nga Qeveria e Kosovës që të miratohet me urgjencë Ligji për Paga, derisa në krye të tyre ishte tash ish-kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë, Blerim Syla.

    Dhe, duket se dëshira e Kurtit për ta hequr kryetarin e Sindikatës së Shëndetësisë u realizua në prill të këtij viti, kur u zgjedh udhëheqësia e re e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, kundër së cilës kishte dalë ish-drejtuesi Blerim Syla, që sipas tij “zgjedhja ka qenë jolegjitime”.

    “Unë kam bë kallëzim penal, rasti është në Prokurori, unë shpresoj shumë në Prokurori – që të marrin vendim për masë të përkohshme”, ka thënë Syla për Gazetën Insajderi, që sipas tij “kryesia aktuale përbëhet nga njerëz që janë absolutisht joprofesionalë”.

    Procedohen për konsultime Ligji i Pagave dhe ai për zyrtarët publikë

    Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës, Xhelal Sveçla, më 17 gusht ka njoftuar se janë proceduar në konsultime paraprake projektligji për pagat në sektorin publik dhe projektligji për zyrtarët publikë.

    Sveçla ka sqaruar se projektligji për pagat ka për qëllim kryesor përcaktimin dhe rregullimin e sistemit të pagave dhe shpërblimeve për të gjithë të punësuarit që përfitojnë pagë nga buxheti i Republikës së Kosovës.

    “Projektligji, përmes sistemit të pagave që synon të krijojë, do të rregullojë edhe mënyrën dhe kushtet e pagesës. Ky projektligj ngre sistemin e pagave mbi parime të afirmuara nga praktikat më të mira të kësaj fushe edhe ndërkombëtarisht”, ka shkruar ai në Facebook.

    Ndërsa për projektligjin për zyrtarët publikë, Sveçla ka thënë se ka për qëllim kryesor rregullimin e marrëdhënies së punës të zyrtares e zyrtarit publik në institucionet e Kosovës.

    “Projektligji do të zbatohet për zyrtaren e zyrtarin publik duke përcaktuar shprehimisht institucionet e kategoritë që nuk janë në fushëveprimin e këtij ligji si dhe nënkategoritë që kanë status të veçantë, marrëdhëniet e punës së të cilëve rregullohen ndryshe”, ka shkruar ai.

    Në vitin 2019, Qeveria e Kosovës, e drejtuar asokohe nga Ramush Haradinaj, pati dërguar në Kuvend, Projektligjin i cili ishte miratuar.

    Ligji parashihte ngritjen e pagave të 70 për qind të shërbyesve civilë.

    Me këtë ligj, një mësimdhënësi të shkollës fillore do t’i rritej paga nga 470 euro në 612, ndërsa një mjeku specialist nga 600 në 1.195 euro.

    Ngritje pagash ishin paraparë edhe për policinë dhe doganat, por jo edhe për zjarrfikësit.

    Por, institucioni i Avokatit të Popullit, në dhjetor të po atij viti, e kishte dërguar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, për siç thuhej, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën.

    Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për pagat në sektorin publik.

    Sipas vendimit, ligji nuk është në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe shkakton “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të jyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.

    Ndërsa ligji për zyrtarët publikë pati hyrë në fuqi më 12 shtator të vitit 2019, por me 19 nëntor 2019, Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar këtë ligj deri në shkurt të vitit 2020.

    Me këtë ligj rregullohet marrëdhënia juridike ndërmjet shtetit dhe zyrtarëve publikë.

    Zyrtarë publikë janë: nëpunësi i Shërbimit Civil (në tekstin në vijim: nëpunësi civil), nëpunësi i Shërbimit Publik, nëpunësi i Kabinetit, nëpunësi administrativ dhe mbështetës.

    © Gazeta Insajderi

    Lexo shkrime të tjera të Gazetës Insajderi që lidhen me grevën e përgjithshme të BSPK-së, e cila ka nisur sot:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark