
Tashmë ish-Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i presidentit amerikan, Donald Trump, Mike Waltz do të jetë ambasadori i ardhshëm i SHBA-së në Kombet e Bashkuara.
Marco Rubio, Sekretari amerikan i Shtetit, do të shërbejë si këshilltar i përkohshëm për sigurinë kombëtare i Trumpit.
Tammy Bruce, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit të SHBA-së, e cila flet në emër të departamentit të Rubios, u tha gazetarëve gjatë një konference për shtyp se ajo e mësoi vendimin prej tyre dhe nuk kishte pasur paralajmërim paraprak.
Trump ndau lajmin për emërimin e Waltzit si ambasadori i ardhshëm i SHBA-së në OKB në platformën sociale, Truth Social.
“Jam i kënaqur të njoftoj se do të propozoj Mike Waltz si Ambasadorin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara”, tha 78-vjeçari.
“Që nga koha në uniformë në fushëbetejë, në Kongres dhe si Këshilltari im për Sigurinë Kombëtare, Mike Waltz ka punuar fort për të vënë interesat e Kombit tonë në radhë të parë. E di që do të bëjë të njëjtën gjë edhe në rolin e tij të ri”, përfundoi ai.
Trump shtoi se “së bashku, do të vazhdojmë të luftojmë pa pushim për ta bërë Amerikën, dhe Botën, sërish të sigurt”.
Waltz ka theksuar se ka marrë “përgjegjësinë e plotë” për një incident të njohur si skandali Signalgate, një ngjarje që ka tronditur administratën Trump dhe që ka lidhje me shpërndarjen e informacionit të ndjeshëm.