
Profesori i filozofisë, Blerim Latifi, ka reaguar pas heqjes së flamurit me logon e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në stadiumin “Air Albania”, gjatë ndeshjes Shqipëri – Serbi.
Përmes një postimi në Facebook, Latifi shprehet se dy kategori njerëzish janë ndier të kënaqur nga ky veprim: serbët dhe ata që ai i quan “sharlatanë” që mbështesin fiksionin e “kombit kosovar”.
“Dy palë janë gëzu mbramë nga pamjet e heqjes së flamurit të UÇK-së nga stadiumi në Tiranë. Serbët në Beograd, për arsyet që dihen. Dhe sharlatanët e fiksionit të quajtur ‘komb kosovar’, të cilët e ushqejnë fiksionin e tyre nga çarja e ëndërruar midis Kosovës dhe Shqipërisë,” shkroi Latifi.
Në lidhje me këtë veprim ka reaguar edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, duke kërkuar kujdes e ndjeshmëri më të madhe ndaj simboleve të luftës.
“Ai flamur është varri i atyre që s’u kthyen kurrë, është kujtimi i atyre që jetojnë përherë në ndërgjegjen tonë,” thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.