Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha sot se gjatë qeverisjes së tij, ekonomisë i janë shtuar mbi 1 miliard euro për çdo vit, janë dyfishuar eksportet dhe investimet e huaja.
Kreu i ekzekutivit tha se në vitin 2020, Bruto Produkti Vendor ka qenë 6.77 miliardë euro, ndërsa në vitin e ardhshëm do të jetë mbi 10 miliardë euro.
“A e dinë çfarë do të thotë që Bruto Produkti Vendor i një vendi të rritet për gati 50 për qind për vetëm 4 vjet. Është shumë vështirë të gjeni në histori e në botë ku Bruto Produkti Vendor rritet për gati 50 për qind për vetëm 4 vjet”, u shpreh ai.
“Qeveria jonë është shquar për investime në mbrojtje dhe siguri, shëndetësi, arsim dhe bujqësi. Arsimi i lartë publik është falas dhe kurrë nuk ka pasur më shumë bursa për studentë. Mbi 4 mijë bursa për studentë, ku mbi 70 për qind janë për ata që studiojnë shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë, dhe sot që po flasim në Kosovë gjysma e studentëve që studiojnë në STEM janë vajza”, tha Kurti.