Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov ka hedhur poshtë akuzat nga kampi i kandidates demokrate për president, Hillary Clinton se Rusia qëndron prapa rrjedhjes në media të komunikimeve të brendshme partiake.
Lavrov, në fillim të takimit me Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry në margjinat e takimit të ministrave të jashtëm në Laos, është pyetur nëse “hackerët” rusë kanë ndërhyrë në kompjuterat e demokratëve duke marrë komunikime të brendshme që thonë se partia e favorizonte Clinton kundrejt rivalit partiak, Benie Sanders.
Këshilltarët e Clintonit kanë thënë Rusia qëndron prapa kësaj duke thënë se ata duan përkrahjen e kundërkandidatit republikan, Donald Trump i cili së fundi ka folur për përmirësim të marrëdhënieve me Rusinë.
Lavrov ka thënë se përgjigja e drejt ndaj këtyre akuzave do të duhej të përfshinte edhe gjuhë vulgare.
Edhe Trump e ka hedhur poshtë këtë pretendim duke thënë se “është një nga teoritë më të çuditshme të konspiracionit”.