Lidhja Demokratike e Kosovës ka akuzuar kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti se ka anuluar koncertin që dikur mbahej për nder të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, “Thank You USA” dhe në vend të tij ka organziuar ngjarje “që janë mbushur me protestues të dhunshëm”.
Përmes një komunikatë për media, LDK ka akuzuar të parin e Prishtinës se ka bashkëpunuar me organizatorët e festivalit të birrës – BeerFest, në të cilin ndodhi një incident para dy ditësh në sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë.
Kjo parti ia atribuon të gjitha përgjegjësit kryetarit Shpend Ahmeti, për të gjitha ato çfarë ndodhën në festivalin e birrës në qendër të kryeqytetit ku u lënduan rreth 50 persona.
Madje sipas LDK-së, Ahmeti ka disa ‘aranzhmane’ me organizatorët e këtij festivali, raporton Insajderi.
“Fillimisht, LDK shpreh shqetësimin lidhur me lëshimet rreth organizmit të BeerFest-it, veçmas për papërgjegjësinë politike dhe paaftësinë menaxheriale të kryetarit të Prishtinës, z. Shpend Ahmeti, i cili më shumë po luan rolin e zëdhënësit të organizatorit të Beer Fest, për të cilin qytetarët e Prishtinës, nuk janë të informuar se kush është dhe çfarë aranzhmanesh kanë së bashku”, thuhet në reagimin e partisë së Isa Mustafës.
LDK thotë se prej kur ka ardhur Ahmeti në krye të Prishtinës, janë anuluar disa ngjarje të rëndësishme si koncerti tradicional për nder të Pavarësisë së SHBA-së – “Thank You USA”.
“Shpend Ahmeti po e drejton Prishtinën si dikur lokalin Filikaqa, duke u kujdesur vetëm për klientët e tij, e duke mos pasur asnjë fije konsiderate për jetën e qytetarëve të Prishtinës”, thuhet në reagimin e LDK-së. /Insajderi.com