Faton Bislimi ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të kryesisë së LDK-së.
Bislimi këtë e ka bërë të ditur me anë të një postimi në ‘Facebook’, teksa ka adresuar një sërë kritikash drejt LDK-së. Sipas tij, në LDK ka interesa personale e grupore, shkruan Gazeta Insajderi.
“Zgjedh LDK-në e idealeve dhe pragmatizmit politik, jo atë të interesave personale e grupore; LDK-në e atyre që sakrifikuan e nuk u lodhën asnjëherë së punuari për liri, demokraci e pavarësi, jo atë të lartësimit të përfituesëve e tregtarëve politikë; LDK-në e vlerësimit dinjitoz të figurave themeltare e të të rënëve të saj, e jo atë të homazheve fallso para varreve të tyre; LDK-në e miqësisë permanente me SHBA-të, jo atë të thirrjes me zë të shterur në këtë miqësi vetëm për poena politikë; LDK-në e aktivistëve e kontributdhënësëve, jo atë të titullarëve!”, ka deklaruar ndër të tjera ai.
“Fatkeqësisht, kjo LDK që unë zgjedh dhe e dua – sepse besoj fuqishëm që i shërben vendit e kombit – vetëm sa po tkurret konceptualisht nën çasjen e kreut të tanishëm. Sikur shumë të tjerë, edhe unë personalisht kam qenë shpresëplot në këtë lidership; nuk e mohoj. Jam përpjekur të bëj punën time, kam shpreh shqetësimet në forumet e partisë (qoftë edhe në rastet e rralla që një mundësi e tillë na është dhënë). Moskonsiderata e personalizimi i skajshëm i udhëheqjes së partisë ka vazhduar. Jo më! Jo me mua, të paktën!”, shkruan më tej Bislimi. /Insajderi.org/