Një natë pasi deputeti Partisë Demokratike të Kosovës, Shukri Buja ka thënë se ka disponim edhe brenda anëtarëve të këtij subjekti politik që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, ka ardhur reagimi i nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, i cili ka mohouar se kjo parti ka diskutuar për opsionin e zgjedhjeve të parakohshme me PDK-në.
Mbrëmë, deputeti Buja, ka thënë se është duke u shikuar vetëm se cila është koha më e mirë që të prishet koalicioni.
“Dilema është se kur është koha më e mirë, marsi, maji, apo të shkohet njëkohësisht me ato lokale”.
Ai ka thënë se beson fuqishëm se koalicioni me LDK nuk do të shkojë deri në fund.
E për këto deklarime të tij ka thënë se nuk e ka pasur fare problem që t’i bëjë publike, pasi edhe disponimi në parti është që të shkohet në zgjedhje.
“Edhe Veseli ka thënë se nuk bëhet kiameti po të shkojmë në zgjedhje”, ka thënë Buja për Klan Kosovën.
E numri dy në LDK ka thënë se në parti nuk kanë biseduar për këtë temë.
“Zgjedhjet të na nuk janë temë. Unë po i dëgjoj zërat e disa zyrtarëve të PDK-së për zgjedhje dhe nuk e di çka përfaqësojnë dhe çfarë halli kanë. A e kanë hallin e tyre personal, kanë mbetur të pakënaqur me procesin dhe nuk e di. Në nivel koalicioni nuk e kemi diskutuar ketë temë”, ka thënë Veliu për “Indeksonline”./Insajderi.com