Asamblisti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Istog, Arianit Selmanaj nuk është më anëtar i kësaj partie.
Ai është rikthyer në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Këtë gjë e ka konfirmuar Selmanaj përmes rrjetit të tij social Facebook. Ai ka njoftuar qytetarët për ndërrimin e partisë pas një periudhe siç e quan reflektimi.
“Unë, Arianit Selmanaj, anëtar i Kuvendit në Komunën e Istogut dëshiroj të njoftoj publikisht se kam vendosur t’i bashkangjitem Grupit të këshilltarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Pas një periudhe reflektimi dhe vlerësimit të angazhimit tim politik, kam arritur në përfundimin se bashkimi me LDK-në është zgjedhja më e mirë për mua dhe për bashkëqytetarët e Komunës se Istogut”, ka shkruar Selmanaj.
Gjithashtu Selmanaj në postimin e tij, ka falënderuar AAK-në dhe votuesit e saj për bashkëpunimin.
“Si një njeri i fjalës dhe kontribuues i rëndësishëm në komunitet me përvojë të gjerë në fushën e financave, besoj se ky ndryshim është në përputhje me interesat e komunitetit. Nën udhëheqjen e LDK-së, mund të jap angazhimin më të madh për të mirën e qytetarëve të Komunës sonë. Dua të shpreh mirënjohjen time për mbështetjen dhe besimin që më është dhënë nga votuesit dhe bashkëpunëtorët gjatë kohës së qëndrimit tim në AAK”, është shprehur ai.
Arianit Selmanaj në zgjedhjet e kaluara me AAK-në ka pasur më së shumti vota nga kjo parti.