Lidhja Demokratike e Kosovës ka kritikuar të enjten nënkryetarin e Prishtinës, Dardan Sejdiun, për të cilin kanë thënë se ai po merret me tema të mëdha nacionale sa për të zhvendosur vëmendjen nga dështimet e Vetëvendosjes në Komunën e Prishtinës.
Këto kritika LDK i ka bërë pasi që Dardan Sejdiu, i cili njëkohësisht është edhe nënkryetar i Vetëvendosjes, ka qenë duke organizuar protestë kundër demarkacionit.
“Nënkryetari histerik i Komunës së Prishtinës, i cili bashkë me shefin e tij mban përgjegjësi për humbje të jetëve të pafajshme dhe plagosjen e 50 njerëzve në Prishtinë për shkak të keqmenaxhimit të kryeqytetit, ishte sot në krye të një proteste anakronike në Prishtinë”, thuhet në komunikatën e LDK-së.
“Dardan Sejdiu, në vend që të përpiqet të imitojë emnakun e tij i cili nxirrte njerëz nga makinat (Molliqaj), e ka për detyrë që të merret me shmangien e rrezikut evident për banorët e lagjes Dodona nga rrëshqitja e asfaltit korruptiv që e kanë shtruar para pak muajve, të merret me rregullimin e kanalizimeve nëpër Prishtinë, të cilën e ka vërshuar uji tre herë vetëm gjatë muajit të kaluar, të heq dorë nga korrupsioni në të cilin ai është i involvuar direkt,”huhet në komunikatën e LDK-së.
Sipas LDK-së, Sejdiu unk ka legjitimet të flasë as për tema komunale e lëre më nacionale.
“Dardan Sejdiu, i cili është viktimë e ambicieve të tij të sëmura dhe keqpërdorimit të pafre të Lëvizjes Vetëvendosje, mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për çdo zhvillim që do të ndodh nëpër protestat e paralajmëruara nga VV dhe për të cilët ai dhe grupi i tij kriminal do të mbajnë përgjegjësi ligjore”, thuhet në fund të komunikatës./Insajderi.com