Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka thënë se ndryshimi është i pashmangshëm dhe se qytetarët po kërkojnë rezultate të prekshme, jo më premtime boshe.
“Ndryshimi është afër. Mund ta ndjeni çdo ditë që kalon. Populli i Kosovës kërkon një të ardhme të re, një të ardhme të ndërtuar mbi përparim të vërtetë, jo në premtime dhe dështime boshe.” – tha Mustafa.
Gjatë një konference për media, Mustafa theksoi se qytetarët e Kosovës duan një qeverisje që fokusohet në ekonomi, arsim, shëndetësi, infrastrukturë dhe drejtësi.
“Ata duan që kryeministri i tyre të ketë një plan konkret për të ardhmen, një plan që adreson ekonominë, arsimin, shëndetësinë, infrastrukturën, drejtësinë dhe çdo sfidë tjetër të jetës së tyre.” – u shpreh ai.
Sipas tij, qytetarët nuk duan më retorikë politike pa veprime konkrete, por një ekip të aftë dhe me përvojë që sjell projekte të mëdha për vendin.
“Ata duan që njerëzit që paraqesin këtë plan të kenë aftësinë për të dhënë rezultate të prekshme. Ata duan një lider që udhëheq me vepra, jo me fjalë. Ata duan një ekip me kompetencë dhe me përvojë që punon, që realizon projekte të mëdha.” – tha zëdhënësi i LDK-së.