
Kolegjiumi i degëve të LDK-së në Prishtinë, nuk është mjaftuar me reagimin e partisë në qendër që e akuzoj VV-në se financohet nga Serbia, dhe ka lëshuar një tjetër komunikatë ku ka akuzuar kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti që vjen nga VV-ja.
Ata e kanë quajtur Ahmetin, kryetar të dështuar që merret me “cështje madhore, pasi që punët në kryeqytet i ka bërë fet”.
Sipas tyre, objekti i Komunës së Prishtinës është shndërruar në një kazermë banditësh që përgatisin molotovë për të djegur institucionet e shtetit dhe shtëpitë dhe makinat private të zyrtarëve të shtetit.
E ka akuzar atë se është një zëdhënës i ministrit të Punëve të Jashtme në Serbi, Ivica Daqiq.
“Në një status në Facebook, Ahmeti se ka dert të luajë rolin e zëdhënësit të Daqiqit duke e cituar fije për pe, me korrektësi prej daktilografi, se çfarë ai paska thënë një natë më parë. Shpend Ahmeti dhe padronët e tij, komisarë të VV-së, të cilët burim të vetëm të informimit për Kosovën e kanë Daqiqin, Vuqiqin dhe të tjerët në Beograd, është mirë të fillojë të mbyll ndonjë kanalizim në Emshir, të shtrojë ndonjë rrugë në Mat, të zvogëloj radhët 6 orëshe për një certifikatë në Komunë, të rregullojë trafikun… “, thuhet në reagimin e LDK-së në Prishtinë.
Përpos kësaj, LDK e ka quajtur Ahmetin dhe VV-në ultra-majtistë. Por njësoj sikur LDK në qendër, ky kolegjium i LDK-së në Prishtinë ka injoruar komplet hulumtimin e publikuar në Insajderi, se Qeveria Mustafa ka pajisur me licencë për biznesin e terminaleve kompaninë e drejtuar nga djali i kryeministrit Isa Mustafa. Kompania “INTEREUROPA KOSOVA L.L.C”, bazuar në të dhënat e regjistrimit të biznesit është në pronësi të kompanisë sllovene “Intereuropa D.D”, dhe Hazbi Hasanit. Ndërsa Arben Mustafa dhe Andrej Karl figurojnë si persona të autorizuar në këtë biznes. Emri i kësaj kompanie figuron edhe në deklarimin e pasurisë së kryeministrit Mustafa. Kur kishte deklaruar pasurinë më 2010, në cilësinë e kryetarit të Prishtinës, kishte shënuar se pesë përqind të aksioneve në këtë kompani i ka djali i tij.