Marine Le Pen, një nga pretendentet kryesore për t’u bërë presidente e Francës në zgjedhjet e këtij viti, ka cilësuar shqiptarët si kërkuesit në numrin më të madh të azilit në vendin e saj.
Udhëheqëse e Frontit Nacional, një partie të skajit të djathtë, ajo është një nga zërat kryesorë kundër emigracionit të huaj në Francë.
“Kërkuesit më të mëdhenj të azilit janë shqiptarë: as që duhet t’i pranojmë kërkesat e tyre”, tha ajo gjatë një interviste në emisionin “Bourdin Direct”, me gazetarin francez Jean Jacques Bourdin, transmeton Illyria News.
Le Pen ka shqetësuar shumë vëzhgues të politikës për shkak të lidhjeve të saj të pazakonta me Vladimir Putinin e Rusisë, armiqësisë së saj ndaj Bashkimit Evropian, e paragjykimeve të forta ndaj myslimanëve pa asnjë kriter.
Mirëpo, në një epokë dyndjesh emigracioni nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika si dhe pas një numër sulmesh terroriste në tokën franceze, e gërshetuar me krizat greke e britanike në BE, Fronti Nacional po kthehet nga një parti e parëndësishme në një konkurrente serioze për postin më të lartë të vendit.
“Në emër të popullit!”
Kjo është parulla zgjedhore, me të cilën po kandidon Marinë Le Pen për postin e presidentes së Francës. Është përdorur dikur nga partizanët shqiptarë dhe qeveria komuniste që erdhi në pushtet pas luftës dhe sipas legjendës janë fjalët që thuheshin përpara eliminimit me plumb të kundërshtarëve e armiqve.
Duke u shfaqur si një populiste klasike, ajo e justifikoi parullën e mësipërme, gjatë kësaj interviste, duke thënë se idetë e saj mbështeten nga shumica dhe se nuk po kandidon që të fitojë ajo, por që t’ia kthejë pushtetin popullit.
Mund të mos ketë rëndësi për lexuesin mirëpo për të kuptuar më mirë suksesin e Frontit Nacional, në planin bashkiak, duhet vënë në dukje pikëpamjet e saj për një reform administrative në vend.
Si një parti me suksese lokale po që rregullisht mundet në nivel kombëtar, nuk është çudi që Marinë Le Pen kërkon të fuqizojë bashkitë në vend.
“Dua ta rivlerësoj statusin e kryetarëve të bashkisë”, tha ajo, “të cilët punojnë 24 orë në ditë e paguhen tmerrësisht keq”.
Ajo tha se kërkon që ta ulë numrin e deputetëve në 300 dhe atë të senatorëve në 200 dhe t’i sanksionojë këto shifra në Kushtetutë që të mos ndryshohen më.
E rrezikuar më shumë nga e djathta sesa nga e majta franceze në këto zgjedhje ajo i përqendroi sulmet më shumë ndaj Fijonit kandidatit të të djathtës, programin e të cilit e quajti të tmerrshëm, që “do të na sëmurë të gjithë”.
Si është e vërteta për numrin e shqiptarëve që kanë kërkuar azil në Francë
Një studim i rëndësishëm për numrin e azilkërkuesve në Francë, tregon një numër të madh dhe në rritje nga Kosova dhe Shqipëria, po edhe të marra së bashku këto nuk dalin në vendin e parë si ka pretenduar në këtë intervistë Marinë Le Pen.
Një tabelë të cilën po e sjell këtu tregon numrin e azilkërkuesve dhe vendet nga vijnë në vitet 2014 dhe 2015 dhe përqindjet të ndryshimit nga një vit në tjetrin.
Atëherë pse kjo deklaratë e Marinë Le Pen që veçon shqiptarët?
Një mundësi është që kryetarja e Frontit Nacional të këtë parë statistika të tjera, si grafiku që jep praktikisht po këto të dhëna, mirëpo bazuar në sigurinë e autoriteteve që azilkërkuesit tregojnë vërtet se nga janë. Duke qenë se shqiptarët janë më të prirur për të thënë të vërtetën për origjinën e tyre, apo që mund ta kenë më të vështirë për të pretenduar se janë nga diku tjetër, ata dalin në krye të listës.
Për shembull një pakistanez e ka më lehtë të hiqet sikur është nga Siria, Iraku apo Afganistani, vende ku ka luftime sot sesa fjala vjen një shqiptar apo një moldavian.
Pse kërkojnë azil shqiptarët në Francë?
Franca është shmangur në fakt nga shumica e refugjatëve që kanë vërshuar drejt Europës në këto vite. Madje shumica e refugjatëve që kanë hyrë në Francë e kanë bërë këtë vetëm si rrugë tranziti sepse kanë pasur për destinacion të vërtetë Anglinë, apo Mbretërinë e Bashkuar në përgjithësi.
Ndonëse shqiptarët nuk janë më të numërtit në listën e azilkërkuesve është pak e çuditshme që ky numër shkon në disa mijëra.
Është gjithashtu e vështirë të kuptohet nëse arsyet që kanë paraqitur ata në dokumentet e kërkesës për azil janë të sinqerta apo thjesht janë përshtatur sipas natyrës së azilantëve që pranon zakonisht Franca.
Për shembull, shumë aplikantë nga Kosova pretendojnë se kërcënohen nga ekstremistët islamikë. A vijnë këto sepse Franca ka qenë vetë në shënjestër të këtyre sulmeve apo se vërtet këta njerëz në Kosovë janë të rrezikuar si pretendojnë? Disa prej tyre azilkërkuesve ishin çifte në të cilat bashkëshortët u përkasin feve të ndryshme dhe pretendojnë se kërcënohen për këtë arsye. A ndodh kjo në Kosovë? Të tjerë thonë se kanë frikë jo sepse nuk janë myslimanë, po sepse janë myslimanë dhe si të tillë u është kërkuar të shkojnë vullnetarë për ISIS mirëpo këta nuk kanë pranuar dhe tani janë në rrezik.
Sigurisht, fakti që janë nga Kosova nuk garanton për të gjithë që janë shqiptarë. Mund të jenë edhe serbë apo nga nacionalitete të tjera. Përpara disa vitesh shumica e shqiptarëve që u deportuan nga Franca ishin romë që kishin argumentuar se diksriminoheshin e kërcënoheshin për shkak të racës në Shqipëri e Kosovë.
Në fakt, romët mbeten të shumtë mes azilkërkuesve nga Kosova edhe në dy vitet e lartpërmendura, ndonëse studimi nuk ofron se sa për qind të tyre janë romë.
Frika për arsye fetare përmendet edhe për azilkërkuesit nga Shqipëria, ku mbizotëron kërkesa për shkak të frikës nga hakmarrjet familjare sipas Kanunit, një problem shoqëror që njihet në planin ndërkombëtar.
Të tjerë ankohen se përndiqen për arsye të lidhjeve të politikës me krimin në vend. Disa shqiptarë nga Kosova pretendojnë se u rrezikohet jeta për shkak se konsiderohen si bashkëpunëtorë të serbëve.
Ka edhe gra azilkërkuese që pretendojnë se janë dhunuar apo kërcënohen me vrasje nga burrat e tyre.
Një tjetër grup shqiptarësh është ai i orientimeve të ndryshme seksualë që thonë se druhen për jetën e tyre nëse kthehen në Shqipëri apo Kosovë.
Shifrat dhe motivet për kërkim azili këtu janë vetëm për vitet 2014 dhe 2015. Mbetet për t’u parë në burime të tjera se si mund të kenë ndryshuar këto të dhëna për vitin 2016 që sapo mbaroi. /Insajderi.com