LeBron James është bërë basketbollisti i parë i ligës amerikane NBA që ka shënuar mbi 40 mijë pikë në karrierën e tij.
Megjithatë, ai e ka përshkruar këtë moment me ndjesi të përziera, pasi në ndeshjen e së shtunës, ekipi i tij Los Angeles Lakers ka humbur kundër ekipit Denver Nuggets.
“Te jesh lojtari i parë që e arrin këtë, është goxha mirë në këtë ligë”, ka thënë 39-vjeçari të shtunën, i cili vetëm në atë ndeshje i ka shënuar 26 pikë.
“Gjëja kryesore është gjithmonë gjëja kryesore dhe ajo është fitorja”, ka thënë ai.
“Më vjen inat që kjo ndodhi kur ne humbëm, sidomos ndaj një ekipi që luan jashtëzakonisht mirë”.
James ka qenë në vendin e parë sa u përket pikëve qysh prej shkurtit të vitit 2023, pasi atëbotë e pati kaluar basketbollistin Kareem Abdul-Jabbar, i cili mbante rekordin me 38.387 pikë.
James është shpallur katër herë kampion i NBA-së dhe katër herë Lojtari më i Vlefshëm, dhe aktualisht është basketbollisti më i vjetër aktiv në ligë.
Ai ka thënë se nuk e di nëse edhe një tjetër lojtar i NBA-së do të mund të arrijë shifrën prej 40.000 pikëve.
“Duhet ta luani lojën goxha mirë për kohë të gjatë, dhe të keni fat me lëndimet dhe gjërat e asaj natyre”, ka thënë ai.