Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se për rastin e vdekjes së Astrit Deharit, së paku deri më tani është dashur që dikush nga zinxhiri komandues i Ministrisë së Drejtësisë të japë dorëheqje morale.
“Ky proces nuk është menaxhuar në mënyrë profesionale si nga policia dhe prokuroria. Ajo që më çudit është që askush nuk ka dhënë përgjegjësi. Është dashur që moralisht të largohet apo të suspendohet dhe me këtë duhet të dihet se shteti po ndërmerr diçka në lidhje më këtë rast”, ka thënë Lekaj gjatë mbledhjes së Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit, në të cilin janë thirrur të raportojnë Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha dhe ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, në lidhje me sqarimin e vdekjes së Astrit Dehari, shkruan zëri.info.
Sipas Lekajt, ky rast ka krijuar dilema të shumta dhe kjo është për të ardhur keq.
“Unë mendoj që duhet ta përkrahim idenë për raportim të kryeprokurorit Sylë Hoxha dhe Ministres së Drejtësisë”, ka shtuar Lekaj.